Një gjykatë në Gjermani ka dënuar 5 anëtarë të një grupi ekstremist të lidhur me lëvizjen "Reichsbürger" për komplot për një grusht shteti dhe përpjekje për të rrëmbyer ministrin e Shëndetësisë të vendit.
Siç raporton Guardian, katër persona të moshës 46 deri në 58 vjeç dhe një grua 77-vjeçare, e cila i përkiste një grupi kriminal që ata e kishin quajtur “Patriotët e Bashkuar”, u dënuan të enjten me burg nga 5 deri në 8 vite, ndërsa i pandehuri i pestë u dënua me dy vjet e 10 muaj.
Rasti i grupit të ekstremit të djathtë është vetëm një nga rastet e shumta të ekstremistëve që kapen pas teorive të konspiracionit dhe që synojnë të hedhin poshtë legjitimitetin e shtetit modern gjerman.
“Patriotët e Bashkuar” kishin hartuar një plan për të rrëmbyer Ministrin e Shëndetësisë, Karl Lauterbach, një veprim që sinjalizonte përbuzjen e tyre për kufizimet e vendosura nga qeveria për t'u mbrojtur kundër Covid-19.
Ata po ashtu synonin të vrisnin truprojat e tij, nëse do të ishte e nevojshme. Pas vendimit, Lauterbach, i socialdemokratëve të qendrës së majtë, falënderoi "policinë dhe gjyqësorin për hetimin dhe ndëshkimin e krimit të planifikuar".
“Hetimet për këtë grup terrorist kanë zbuluar një minierë. Planet e dhunshme për një grusht shteti, për sulmet në infrastrukturën e energjisë elektrike, për rrëmbimin e ministrit të Shëndetësisë Karl Lauterbach dhe për vrasjen e truprojave të tij treguan një kërcënim të madh. Shërbimet e sigurisë i marrin seriozisht kërcënimet e paraqitura nga qytetarët e skenës së Rajhut dhe veprojnë në përputhje me rrethanat. Ne po mbrojmë demokracinë tonë”, tha Ministrja e Brendshme, Nancy Feiser pas vendimit të gjykatës.
Projekti "Nata e heshtur"
Siç u tha në gjykatë, grupi kriminal i ekstremit të djathtë u formua në janar 2022, duke planifikuar të krijonte kushte për luftë civile në Gjermani përmes dhunës dhe të merrte pushtetin shtetëror.
Plani i tyre përfshinte sabotimin dhe çaktivizimin e rrjetit elektrik, një operacion që ata e quajtën "Nata e heshtur".
Ata shpresonin se kaosi që do të shkaktonin do t'i bindte anëtarët e pakënaqur të forcave të sigurisë që t'u bashkoheshin atyre në përpjekjet e tyre për grusht shteti.
Pasuesit e lëvizjes "Qytetarët e Rajhut" pretendojnë se Perandoria Gjermane, e cila u shemb në 1918, ekziston ende. Raste të tjera janë iniciuar nga gjykatat në Düsseldorf , Frankfurt , Hamburg , Mynih dhe Shtutgart . Disa kanë shkuar deri në dënime, ndërsa të tjerët janë në vazhdim. (A2 Televizion)