Negociatorë rusë, ukrainas dhe amerikanë takohen sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, në ato që sipas zyrtarëve janë bisedimet e para trepalëshe që kur Moska nisi luftën katër vite më parë.
Kremlini konfirmoi se delegacioni në Abu Dabi do të udhëhiqet nga gjenerali Igor Kostyukov, drejtor i agjencisë së inteligjencës ushtarake GRU, ndërsa Kirill Dmitriev do të takohet me Witkoff për të diskutuar çështje ekonomike.
Në një tregues të seriozitetit të bisedimeve, Ukraina përfaqësohet nga disa prej zyrtarëve më të lartë, ndër të cilët kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rustem Umerov, si dhe këshilltari i lartë i Zelenskyt, Kyrylo Budanov. Ata ishin të pranishëm edhe në Davos, ku presidenti ukrainas zhvilloi një takim me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.
Pas takimit, Trump tha se si Zelensky ashtu edhe Putin duan të arrijnë një marrëveshje.
“Nuk dua të bëj parashikime. Nuk ka ndryshime, por mendoj se presidenti Putin dëshiron një marrëveshje dhe po ashtu presidenti Zelensky dëshiron të arrijë një marrëveshje”, tha Trump.
Zelensky deklaroi pas takimit se kishte dakordësime me Trump mbi garancitë e ardhshme për Ukrainën në rastin e një ujdie, por se e ardhmja e rajonit lindor të Donbasit mbetej e pazgjidhur, shkruan A2 CNN.
“E gjitha ka të bëjë me territorin dhe kjo çështje nuk është zgjidhur ende. Edhe rusët duhet të jenë gati për kompromis, jo vetëm Ukraina”, tha Zelensky.
Moska kërkon që Ukraina të lëshojë 25 për qind të rajonit të Donjeckut, të cilin Kievi ende e kontrollon.
Të enjten, të dërguarit e Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u takuan me presidentin Putin në Moskë. Rusia i përshkroi bisedimet si shumë frytshme dhe të sinqerta, por theksoi se një marrëveshje për paqe afatgjatë nuk mund të arrihet derisa çështjet territoriale të zgjidhen.
Në Forumin Ekonomik të Davosit, presidenti ukrainas kritikoi aleatët europianë për mungesën e vullnetit politik për të vepruar kundër Rusisë. (A2 Televizion)