Tarifa 100% për çipat, Trump dëshiron ta sjellë prodhimin në SHBA

Nga Rosalba Bejdo
7 Gusht 2025, 11:43 | Bota

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar me tarifa 100 për qind mbi importet e çipave. Kompanitë mund t’i anashkalojnë këto tarifa duke zgjedhur të investojnë në Shtetet e Bashkuara, siç tha ai në një konferencë për shtyp me drejtorin ekzekutiv të Apple, Tim Cook. Trump shprehu bindjen e tij se kjo do t’i inkurajonte kompanitë e çipave të zgjeronin prodhimin në SHBA, shkruan A2 CNN.

Nëse një veprim i tillë zbatohet pa përjashtime për furnizuesit kryesorë, ka të ngjarë të rrisë çmimet e elektronikës në të gjithë SHBA-në - sepse shumica dërrmuese e çipave prodhohen në Azi. Në veçanti, sistemet e çipave me teknologji të lartë për iPhone dhe telefona të tjerë inteligjentë vijnë pothuajse ekskluzivisht nga Tajvani.

SHBA-ja dhe Evropa janë përpjekur prej vitesh të rikthejnë prodhimin e çipave në Perëndim. Ish-presidenti amerikan Joe Biden u mbështet në miliarda dollarë subvencione për ta arritur këtë.

Trump e quajti këtë një humbje parash dhe njoftoi pak kohë më parë se kishte ndërmend të vendoste tarifa mbi prodhuesit e çipave për t'i sjellë ata në SHBA. Ndërtimi i një fabrike çipash kushton miliarda dollarë dhe zgjat me vite.

Ndëkrohë më herët Apple kishte njoftuar qëllimin e saj për të investuar edhe 100 miliardë dollarë të tjerë në SHBA. Kompania e iPhone kishte njoftuar tashmë 500 miliardë dollarë investime në SHBA në shkurt.

Apple njoftoi se do të punësojë 20,000 punonjës të rinj në SHBA në vitet e ardhshme, kryesisht në kërkim dhe zhvillim. Investimet do t'u sjellin dobi edhe furnizuesve ekzistues amerikanë, siç është kompania e qelqit Corning.

Në të ardhmen, të gjithë iPhone-t dhe Apple Watch-et në të gjithë botën do të pajisen me xham nga SHBA-ja. Fabrika e Corning në Kentucky e prodhoi tashmë xhamin special për iPhone-in e parë në vitin 2007. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos