Çdo mëngjes që Dubandlela zgjohet në shtëpinë e tij në bregun lindor të Afrikës së Jugut, ai mendon për fëmijën e tij më të vogël dhe të vetmin djalë, 20 vjeç, i cili është i bllokuar në një luftë të largët, një luftë që ai kurrë nuk pranoi ta luftonte, në vijën e frontit të agresionit rus të Ukrainës.
Babai 56-vjeçar i tre fëmijëve në qytetin-port të Durbanit, i rrethuar nga palmat, shfleton fotografitë që djali i tij i ka dërguar disa ditë më parë nga afër vijës së frontit në Donbas. Balli i rrudhet nga shqetësimi. Ajo e Dubandlelës është mes disa familjeve, jeta e të cilave është shkatërruar nga një mashtrim rekrutimi që u premtoi dhjetëra burrave nga Afrika e Jugut trajnim elitar si roje sigurie për VIP-a, por që përfundoi duke i rekrutuar ata si mercenarë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
E ndërtuar mbi intervista me dy prej të rekrutuarve dhe dy të afërm të tyre, kjo histori hedh dritë të re mbi fatin e tyre dhe ndikimin shkatërrues që kjo ka pasur mbi familjet e tyre në atdhe.
Dubandlela, 56 vjeç, refuzoi të zbulonte emrin e tij dhe të djalit nga frika për sigurinë e të birit. Ai rrëfen se i biri i kishte treguar se ai dhe rekrutët e tjerë nga Afrika e Jugut kalonin gjithë ditën duke hapur llogore në të ftohtin përvëlues: “Po punojnë çdo ditë. Gërmojnë llogore pothuajse çdo ditë, madje edhe gjatë stërvitjes. Stërvitja është jashtëzakonisht e rëndë, mbajnë armë shumë të rënda. Problemi është se me çfarë po përballen? Në disa momente nuk ka ujë, nuk ka ushqim. Ndonjëherë kalojnë disa ditë pa ushqim, ndoshta pesë ditë nuk kanë marrë asgjë për të ngrënë. Madje, është shumë e vështirë edhe të lahen”.
56-vjeçari i tha gjithashtu Reuters-it se gruaja e tij dhe dy vajzat janë vazhdimisht duke qarë. Ministria e Jashtme e Rusisë nuk iu përgjigj një kërkese me shkrim për koment lidhur me mashtrimin e pretenduar apo rrethanat aktuale të afrikanojugorëve të rekrutuar në luftë. Pjesa më e madhe e rajonit të Donbasit tani kontrollohet nga forcat ruse dhe luftimet atje kanë qenë të ashpra që prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022.
Mashtrimi që, sipas Dubandlelës, zuri në grackë djalin e tij, doli në dritë më 6 nëntor, kur Afrika e Jugut tha se kishte marrë thirrje për ndihmë nga 17 burra të moshës 20 deri në 39 vjeç, të cilët deklaronin se ishin të bllokuar në Donbas. Një hetim për mashtrimin nga një njësi elitare e policisë, e njohur si “Haëks”, u përqendrua te përfshirja e dyshuar e njërës prej vajzave të ish-presidentit Jacob Zuma, Duduzile Zuma-Sambudla.
Zuma-Sambudla më vonë dha dorëheqjen si deputete e partisë opozitare e drejtuar nga babai i saj, ish-presidenti Jacob Zuma. Ajo ka mohuarse ka pasur dijeni për mashtrimin. Kur shtetasi tjetër, Phumlani mësoi të vërtetën se vëllai i tij kishte lënë Afrikën e Jugut për të luftuar në një luftë në Ukrainë – dhe jo për t’u trajnuar si truprojë në Rusi – ai dhe vëllezërit e tij ranë shpejt dakord të mos ia tregonin nënës së tyre apo fëmijëve të tij; kjo do t’i shkatërronte ata: “Na kontaktuan në fillim të nëntorit të këtij viti. Ata e kishin kuptuar prej kohësh se diçka nuk shkonte. Kur folëm… rreth gushtit, po, rreth gushtit, e kuptuan se kishte diçka që nuk ishte në rregull, por nuk na treguan sepse nuk donin që ne të panikoseshim. Isha i zemëruar, për të qenë i sinqertë. Kisha frikë se mund ta humbnim, sepse tani ai po flet për luftë. Në luftë vdesin njerëz, vdesin edhe civilë të pafajshëm, vdesin edhe ushtarë. Po ai? Ai nuk është ushtar, ai është thjesht një djalë që donte një jetë më të mirë për veten dhe për fëmijët e tij”.
Në muajin gusht, thanë të dy rekrutët nga Afrika e Jugut, atyre u ishte thënë se po shkonin në luftë. Nuk janë vetëm afrikanojugorët ata që përfunduan pa e ditur në luftën e Ukrainës. Kenia tha më 12 nëntor se mbi 200 shtetas të saj po luftonin për Rusinë në Ukrainë dhe se agjenci rekrutimi po vazhdonin ende të punonin aktivisht për të joshur kenianë të tjerë në konflikt.
Autoritetet në Botsvanë kanë deklaruar se dy burra u mashtruan për t’iu bashkuar luftës përmes premtimeve të rreme për punë. Ministria e Jashtme e Rusisë nuk iu përgjigj një kërkese me shkrim për koment. Rusia nuk komenton mbi mercenarët e huaj që luftojnë në Ukrainë. Mes atyre që shkuan për të luftuar, në gusht, ishte edhe 22-vjeçari kenian David Kuloba. Nëna e tij, Susan, ndau me Reuters një kopje të kontratës së tij në rusisht.
David kishte rënë dakord të “hyjë vullnetarisht … në shërbimin ushtarak për periudhën e përcaktuar nga kjo kontratë të jetë besnik ndaj betimit ushtarak, t’i shërbejë pa u kursyer popullit rus dhe të mbrojë me guxim dhe aftësi Federatën Ruse”, thuhet në kontratë.
Kur kuptoi se do të dërgohej në Ukrainë, ai e siguroi nënën e tij se do të ishte i sigurt, i tha ajo Reuters-it. Kjo ishte hera e fundit që ajo dëgjoi prej tij: “E pyeta: ‘Çfarë pune është kjo për të cilën vazhdon të flasësh?’ Më tregoi dokumente në telefon; as që e dija se kishte shkuar për analiza mjekësore. E paralajmërova: ‘Rusia nuk është një vend i sigurt nga sa kam dëgjuar. A nuk mund të zgjedhësh një vend tjetër?’ Por, ai këmbënguli: ‘Mami, është thjesht një punë sigurie. Po ofrojnë nga një deri në dy milionë shilinga. Nëse punoj për një vit, do të jemi të rregulluar dhe nuk do të më duhet të largohem më kurrë nga shtëpia”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Reuters-it mbi vendndodhjen e Davidit të premten, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kenias tha se “hetimet janë ende në vazhdim dhe po udhëhiqen nga disa agjenci, ndaj përmomentin mund vetëm të presim për më shumë detaje”.
Megjithatë, më 30 shtator, Susan mori mesazhe nga një person që ajo tha se ishte një nga bashkëluftëtarët e Davidit, i cili nuk dëshironte të identifikohej, dhe që kishte qenë dëshmitar i asaj që kishte ndodhur: David ishte vrarë nga një shpërthim në vijën e frontit. (A2 Televizion)