Të paktën 14 persona janë vrarë, përfshirë edhe një shtetas amerikan dhe 44 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve me dronë dhe raketa të kryera nga Rusia ndaj Kievit, thanë zyrtarët ukrainas më 17 qershor.
Zyrtarët thanë se forcat ruse kryen sulmin me raketa dhe dronë, duke shënjestruar disa qarqe të kryeqytetit ukrainas.
Kryetari i Kievit, Vitaly Klitschko, tha se nëntë persona janë plagosur në qarkun Sviatoshinski dhe 11 të tjerë në Solomianski. Gjashtë persona janë hospitalizuar, ndërkaq edhe dy qarqe të tjera janë përballur me shpërthime të zjarreve pas sulmeve.
Klitschko tha se një amerikan 62 vjeç “vdiq në një shtëpi në qarkun Solomianski”.
Edhe pjesë të tjera të Ukrainës janë përballur me sulme, përfshirë edhe qytetin e Zaporizhjës, ku zyrtarët kanë raportuar për të paktën katër sulme.
Ndërkaq, Rusia raportoi se mbrojtja e saj ajrore ka zmbrapsur dy dronë ukrainas që ishin nisur drejt Moskës.
Njësitë kundërajrore ruse po ashtu kanë shkatërruar 51 dronë ukrainas mbi rajonin kufitar të Belgorodit mbrëmjen e 16 qershorit, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Moska, që ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës mbi tre vjet më parë, ka vazhduar sulmet ndaj Ukrainës pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të arritur një armëpushim. Pak përparim është bërë në procesin e paqes, përveç se palët janë pajtuar që të këmbejnë të burgosur të luftës.
Moska ka refuzuar kërkesën e Kievit për një armëpushim pa kushte, ndërkaq Ukraina i ka refuzuar kushtet e vendosura nga Rusia, duke i cilësuar si “ultimatume”. (A2 Televizion)