Izraeli është në gatishmëri të lartë për mundësinë e çdo ndërhyrjeje të SHBA-së në Iran, ndërsa autoritetet atje përballen me protestat më të mëdha antiqeveritare në vite, sipas tre burimeve tw Reuters.
Presidenti Donald Trump ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë ditët e fundit dhe i ka paralajmëruar sundimtarët e Iranit kundër përdorimit të forcës kundër demonstruesve. Të shtunën, Trump tha se SHBA-të janë "të gatshme për të ndihmuar".
Burimet, të cilat ishin të pranishme për konsultimet izraelite për sigurinë gjatë fundjavës, nuk dhanë detaje se çfarë do të thoshte në praktikë gjendja e gatishmërisë së lartë e Izraelit. Izraeli dhe Irani zhvilluan një luftë 12-ditore në qershor, në të cilën SHBA-të iu bashkuan Izraelit në nisjen e sulmeve ajrore.
Në një telefonatë të shtunën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio diskutuan mundësinë e ndërhyrjes së SHBA-së në Iran, sipas një burimi izraelit që ishte i pranishëm në bisedë. Një zyrtar amerikan konfirmoi se të dy liderwt folën, por nuk tha se çfarë temash diskutuan. Izraeli nuk ka sinjalizuar dëshirë për të ndërhyrë në Iran, ndërsa protestat kanë përfshirë vendin, me tensione të larta midis dy armiqve të përbetuar për shkak të shqetësimeve izraelite në lidhje me programet bërthamore dhe balistike të Iranit, shkruan A2 CNN.
Në një intervistë me Economist të botuar të premten, Netanyahu tha se do të kishte pasoja të tmerrshme për Iranin nëse do të sulmonte Izraelin. Duke aluduar në protesta, ai tha: "Për çdo gjë tjetër, mendoj se duhet të shohim se çfarë po ndodh brenda Iranit."
Autoritetet e Iranit treguan të shtunën se mund të intensifikojnë shtypjen e demonstratave më të mëdha antiqeveritare në vite, me Gardën Revolucionare që fajësoi terroristët për trazirat dhe u zotua të mbrojë sistemin qeverisës. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka kërcënuar vazhdimisht të ndërhyjë ditët e fundit, postoi në mediat sociale të shtunën: "Irani po shikon LIRINË, ndoshta si kurrë më parë. SHBA-të janë të gatshme të ndihmojnë!!!"
Të dielën në mëngjes, sipas kohës gjermane, gazeta New York Times raportoi se presidenti amerikan ishte informuar ditët e fundit mbi opsionet e reja për sulme ushtarake kundër Iranit. Gazeta citoi disa burime brenda qarqeve qeveritare të njohura me çështjen.
Sipas këtyre burimeve, Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por po shqyrton seriozisht autorizimin e një sulmi ushtarak në përgjigje të veprimeve të regjimit iranian. Opsionet që i janë paraqitur Trump përfshijnë edhe objektiva jo-ushtarake në Teheran, raportoi New York Times, duke cituar të njëjtat burime. Kur u pyet për planet për sulme të mundshme, Shtëpia e Bardhë iu referua deklaratave publike të Trump dhe postimeve në mediat sociale të ditëve të fundit. (A2 Televizion)