
Irani po përballet me protestat më të mëdha kundër regjimit klerikal në vitet e fundit, me autoritetet që po shtypin me brutalitet pakënaqësitë në rritje.
Protestat mbarëkombëtare që u nisën nga tregtarët në pazare – që janë qendra kyç të tregtisë në Iran – të kujtojnë ngjarjet që i paraprinë Revolucionit Islamik më 1979.
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me Jack Goldstone, profesor i politikave publike në Universitetin George Mason, i cili njëherësh është një nga studiuesit kryesor të revolucioneve dhe ndryshimeve shoqërore, lidhur me atë nëse ngjarjet e fundit në Iran mund të çojnë në fundin e Republikës Islamike, përcjell A2.
Radio Evropa e Lirë: Disa vëzhgues kanë thënë se Irani është në një situatë para-revolucionare apo revolucionare. Çfarë përbën një revolucion?
Jack Goldstone: Që një revolucion të fillojë, një numër i madh njerëzish duhet të sfidojnë autoritetin e regjimit dhe të kërkojnë që ai të marrë fund. Kjo ka ndodhur. Pra, jemi në fillimin e një momenti revolucionar. Por, shumë herë në Iran ne e kemi parë këtë dhe regjimi ka qenë aq brutal sa i është dashur që të ndalë protestat.
Këtë herë, duket se është kërcënimi më i madh për regjimin sepse të gjithë janë të përfshirë. Kryeqyteti, qytetet e vogla, të moshuarit, të rinjtë dhe tregtarët nëpër pazare që po mbyllin dyqanet e tyre. Pra, për mua, këto janë protestat më të gjera, si gjeografikisht ashtu edhe sa u përket grupeve të ndryshme shoqërore, që kanë parë që nga viti 2009 [kur kishte protesta masive pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale].
Radio Evropa e Lirë: Përmendët se nevojiten “numra të mëdhenj” njerëzish që të sfidohet autoriteti i regjimit klerikal për të pasur një revolucion. Çfarë përqindje e popullsisë duhet të dalë në rrugë që kjo të quhet revolucion?
Jack Goldstone: Nuk ka një numër [specifik]. Mund të kesh një revolucion me një shesh të mbushur me njerëz, me 100 mijë njerëz, nëse kjo e frikëson sundimtarin dhe ai ik, siç ndodhi në Ukrainë. Pra, nuk ka një shifër fikse. Ajo që ka rëndësi për suksesin apo dështimin e një revolucioni është vendosmëria e Gardës Revolucionare Islamike, Basijit [forcë paramilitare] dhe çdo force tjetër që [lideri suprem] ajatollah Ali Khamenei mund ta përdorë.
Radio Evropa e Lirë: Vetëm për shkak të kësaj, siç thoni ju, “fillimi i një momenti revolucionar” nuk nënkupton se do të ketë sukses, apo jo?
Jack Goldstone: Po, revolucioni është një proces. Mund të nisë, mund të ndalet, mund të dështojë. Madje, mund të ketë sukses dhe më pas të përmbyset.
Radio Evropa e Lirë: Në rastin e Iranit, cilët faktorë mund të çojnë në një revolucion?
Jack Goldstone: [Khamenei] e ka kaluar të gjithë jetën e tij duke e mbrojtur revolucionin. Ai e sheh si një përgjegjësi të shenjtë për ta mbrojtur revolucionin. Prandaj, ai do të bëjë gjithçka që është e nevojshme. Pyetja është se a do t’i zbatojnë grupet e ndryshme urdhrat e tij për të qëlluar protestuesit? Në të kaluarën, ata gjithmonë u janë bindur urdhrave të tyre, por zakonisht ka qenë kundër grupeve të veçanta. Qoftë studentët apo vetëm njerëzve në kryeqytet, ose vetëm në disa provinca apo vetëm kundër grave.
Tani, duket se janë pothuajse të gjithë. Dhe, kjo e bënë më të vështirë për Basijin dhe madje edhe për vetë Gardën Revolucionare që të qëllojë drejt protestuesve sepse ata gjithnjë e më shumë po e ndjejnë se protestuesit përfaqësojnë të gjithë shoqërinë, e jo vetëm një segment të veçantë të shoqërisë.
Radio Evropa e Lirë: Si ndikojnë kriza ekonomike e Iranit, presioni ndërkombëtar, dhe lufta 12-ditore vitin e kaluar me Izraelin në gjithë këtë?
Jack Goldstone: Mendoj se në këtë pikë, pas kaq shumë vitesh dështimesh ekonomike, kolapsit të plotë të valutës dhe paaftësisë për të mbrojtur Iranin nga sulmet e huaja, regjimi e ka humbur besueshmërinë dhe legjitimitetin në sytë e shumicës së popullsisë. Ai thjesht nuk e ka bërë atë që regjimi revolucionar erdhi në pushtet për ta bërë. Nuk po e bën Iranin të sigurt, nuk po e bën të qëndrueshëm. Nuk po e mbron mirëqenien. Pra, mendoj se ka një padurim, zemërim dhe refuzim të përgjithshëm që tani ka arritur në një nivel më të lartë pas sulmeve izraelite dhe pas kolapsit masiv të valutës, më shumë sesa kemi parë ndonjëherë më parë.
Ajo që mendoj se askush nuk e di është nëse Garda Revolucionare ka humbur po ashtu besimin te regjimi. Nëse ka ndodhur kjo, atëherë mund t’i kërkojë Khameneit dhe klerikëve të tërhiqen, ndërkohë që ata përpiqen të formojnë një Qeveri të re.
Radio Evropa e Lirë: A ju duhen protestave një udhëheqës në mënyrë të ketë një revolucion?
Jack Goldstone: Në këtë pikë, hapi i ardhshëm është që protestat të vazhdojnë të rriten dhe njerëzit të shohin nëse regjimi mund të mbledhë mjaft forca shtypëse për t’i zmbrapsur demonstratat. Askush nuk e di në këtë moment. Është shumë si në Egjipt në janar të vitit 2010, kur njerëzit u mblodhën në Sheshin Tahrir. Askush nuk e dinte me siguri nëse ushtria do të mbështeste popullin apo regjimin. Në të vërtetë, nuk e dinim deri sa gjërat veçse kishin filluar të ndodhnin.
Pra, mendoj se e njëjta gjë është e vërtetë tani [në Iran]. Ka një shpresë të madhe për ndryshim. Por, deri sa të dimë nëse Garda Revolucionare vazhdon të mbështesë regjimin me gjithë forcën e saj apo jo, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Radio Evropa e Lirë: A të të luajnë rol politikat e SHBA-së apo ndonjë shteti tjetër në atë se çfarë ndodh në Iran?
Jack Goldstone: Nuk mendoj se mund të luajë ndonjë rol. Në këtë pikë, kjo është mes popullit të Iranit, udhëheqjes dhe ushtrisë. Amerika do të vëzhgojë, Evropa do të vëzhgojë. Ata do të thonë se mbështesin ndryshimin. Por, tani gjërat do të ndodhin gjatë 48 deri në 96 orëve të ardhshme që do të tregojnë nëse ushtria mbetet e bashkuar në mbrojtje të regjimit klerikal apo nëse ushtria fillon të ndahet në pjesë të ndryshme. Disa prej tyre do të tërhiqen, disa do të mbështesin ndryshimin. Do ta kuptojmë, mendoj, në dy ditët e ardhshme, ndoshta dy deri në tre ditë, nëse ushtria do të veprojë me të njëjtën forcë si më parë.
Në 2022 [gjatë protestave Grua, Jetë, Liri], ushtria vrau qindra njerëz, arrestoi shumë, mijëra. Ata do të duhej të bënin të njëjtën gjë tani, ndoshta edhe më shumë. Pra, do të duhet të shohim nëse janë gati për këtë gjë apo jo. Sa i përket Khameneit, ai po fajëson ndikimin e huaj. Ai po përpiqet të paraqesë protestuesit si armiqtë e kombit. Por, nuk mendoj se ka asgjë që mund të thotë ai që do të ndryshojë momentumin. Dhe, nëse nuk përballen me një reagim shumë të fortë, shtypës, mendoj se protestat do të vazhdojnë të rriten./ REL (A2 Televizion)