SHBA gati të sulmojë Venezuelën, por Trump ngurron! Maduro kërkon ndihmë nga Putini dhe Xi

Nga A2 CNN
31 Tetor 2025, 21:47 | Bota

SHBA gati të sulmojë Venezuelën, por Trump ngurron! Maduro

Tensionet në Karaibe po rriten ndjeshëm, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake kundër Venezuelës. Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se ajo që nisi si një fushatë amerikane kundër trafikantëve të drogës në ujërat pranë Venezuelës dhe Kolumbisë, tani po rrezikon të shndërrohet në një konflikt ndërkombëtar.

Pas disa sulmeve të Pentagonit që kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 62 personave, veprime që OKB-ja i ka cilësuar “të papranueshme” Uashingtoni thuhet se ka përgatitur objektiva për goditje të mundshme ndaj bazave ushtarake venezueliane. Sipas Wall Street Journal, objektivat janë identifikuar, por nuk është marrë ende një vendim përfundimtar.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se “Presidenti është i përgatitur të përdorë çdo mjet për të ndaluar trafikun e drogës drejt SHBA-së”. Megjithatë, Donald Trump ka hezituar të konfirmojë publikisht planet për një sulm, duke ruajtur një ton të kujdesshëm. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e përshkroi regjimin e Maduros si “një narko-shtet që drejton një kartel ndërkombëtar droge”.

Nga ana tjetër, Presidenti Nicolas Maduro po përpiqet të forcojë aleancat e tij me Moskën, Pekinin dhe Teheranin. Sipas burimeve të Washington Post, ai i ka kërkuar Vladimir Putinit dhe Xi Jinping bashkëpunim ushtarak përballë “kërcënimit amerikan”. Një avion rus Ilyushin Il-76, i sanksionuar nga SHBA, mbërriti në Karakas fundjavën e kaluar, duke sjellë pajisje të paidentifikuara ushtarake.

Në të njëjtën kohë, Irani ka nisur furnizime me dronë dhe pajisje zbulimi për ushtrinë venezueliane.

Rusia dhe Kina mbeten partnerët më të rëndësishëm strategjikë të Karakasit, por analistët mendojnë se Kremlini mund të ketë më pak burime dhe më pak interes në mbështetjen e Maduros, dhe tensioni midis Uashingtonit dhe Karakasit mund t'u ofrojë rusëve edhe disa avantazhe të papritura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos