"Unë pres veprime të shpejta dhe vendime vërtet të qarta," tha kryeministrja e Letonisë ndërsa mbërriti në samitin e mbledhur me urgjencë.
Sipas mediave të huaja, Evika Silina mirëpriti propozimet për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në mbarë BE-në, por tha se rritjet duhet të vijnë shpejt.
Me ndalimin e të gjithë ndihmave për Ukrainën nga SHBA, udhëheqësit evropianë kanë lëvizur për të rritur buxhetet e tyre të mbrojtjes, në mënyrë që të ndihmojnë në forcimin e vijave të frontit të Kievit.
“Është një mundësi e mirë për Ukrainën që të arrijë paqen, por paqen përmes forcës”, shtoi Silina. "Pa forcë nuk do të ketë paqe afatgjatë", tha ajo më tej, shkruan A2 CNN.
Letonia shpenzon 2.45% të PBB-së së saj për mbrojtjen dhe së bashku me shtetet e tjera baltike (Estonia dhe Lituania) ka qenë një mbështetëse e zëshme e Ukrainës.
Ajo theksoi se ajo që ndodh në Ukrainë ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e vendit të saj dhe të pjesës tjetër të Evropës.
“Për shtetet baltike, ne vërtet duhet të ecim shumë shpejt përpara, sepse ne jemi vende të vijës së parë dhe tashmë po shpenzojmë një shumë të buxhetit tonë për mbrojtjen e kufirit të Evropës... pasi ne jemi kufiri i NATO-s”, përfundoi ajo, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)