Kush do të dijë se në çfarë forme është qeveria, lexon raportin e progresit dhe e ka aty dëftesën e qeverisë.
Këtë përgjigje i dha kryeministri Edi Rama gazetares së A2 CNN Fjorela Beleshi, kur u pyet nëse e ka kërcënuar kryetarin e bashkisë Erjon Veliaj, përmes ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, që të dorëzojë bashkinë.
Rama i krahasoi me “zhurmat e makinave në bulevard” akuzat që Erion Veliaj i ka drejtuar nga burgu.
“Një dëftesë që mua më gëzon. Sepse është shumë e qartë që Shqipëria ka bërë një progres të madh, të cilin, për fat të keq, shqiptarët nuk e konstatojnë dot nga ekranet dhe kanalet e dezinformimit publik. Qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë, siç e kam thënë edhe më parë, çdo ditë, me pikërisht këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur sot në këtë konferencë. Objektivin historik të bashkimit të vendit tonë me Europën dhe moslejimin e humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me shumë punë, por që është ndihmuar edhe nga rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë. Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju”, tha Rama. (A2 Televizion)