Tornado godet Parisin, një i vdekur dhe shumë të plagosur

Nga A2 CNN
20 Tetor 2025, 22:25 | Bota

Tornado godet Parisin, një i vdekur dhe shumë të plagosur

Një person u vra dhe disa të tjerë mbetën të plagosur nga një tornado që goditi rajonin Val d'Oise, në veri të Parisit mbrëmjen e së hënës.

Ministri i Brendshëm Laurent Nunez konfirmoi lajmet për viktimën dhe tha se po monitoronte situatën pasi shumë njerëz të tjerë u plagosën nga tornadoja.

Sakaq, videot e postuara në mediat sociale tregojnë tre vinça që rrëzohen në Ermont nga tornadoja që goditi periferitë e kryeqytetit francez.

Sipas prefekturës rrëzimi i vinçave shkaktoi dëme të konsiderueshme dhe janë konfirmuar katër persona të plagosur rëndë që po trajtohen me ndihmë mjekësore.

Të tronditur dukshëm, banorët që ishin në shtëpi në atë kohë mund të shihnin vetëm elementët teksa binin mbi çatitë e tyre. Othman, i cili jeton në të njëjtën lagje, ishte gjithashtu në shtëpi në atë kohë.

"Doja të flija pak. Kjo është ajo që më shpëtoi, sepse qepenat e mia ishin të mbyllur. Dritaret e mia nuk shpërthyen, si të disa fqinjëve të mi. Gjithçka lëvizte përreth meje, ndjeva se nuk ishte thjesht një erë e fortë. Dritarja ime ka pamje nga kantieri i ndërtimit. Kur hapa qepenat, pashë pemë të shkulura që kishin rënë mbi makinën time. Në kantierin e ndërtimit, pashë një trup të mbuluar me një çarçaf të bardhë. E dija që kishte një person të vdekur”, rrëfeu ai. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos