24 tetori i vitit 2025 do të shënojë 80 vjet që kur Kombet e Bashkuara u krijuan zyrtarisht. Organizata e Kombeve të Bashkuara u krijua kur vendet u bashkuan pas Luftës së Dytë Botërore për të parandaluar një konflikt tjetër të madh dhe për të zëvendësuar një Lidhje të Kombeve joefektive. Më 26 qershor 1945, përfaqësuesit e 50 vendeve u takuan në San Francisko në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Organizatën Ndërkombëtare për të hartuar Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Këta delegatë diskutuan mbi bazën e propozimeve të përpunuara nga përfaqësuesit e Kinës, Bashkimit Sovjetik, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në Dumbarton Oaks, Shtetet e Bashkuara në muajt gusht-tetor 1944. Karta e OKB-së hyri në fuqi më 24 tetor 1945. Por shumë gjëra kanë ndryshuar gjeopolitikisht që nga themelimi i organizatave ndërkombëtare.
OKB-ja vepron nëpërmjet disa organeve, përfshirë Asamblenë e Përgjithshme, ku193 shtetet anëtare kanë përfaqësim të barabartë për të diskutuar mbi çështjet globale, dhe Këshillin e Sigurimit, i cili ka për detyrë të adresojë kërcënimet ndaj paqes ndërkombëtare dhe mund të autorizojë sanksione ose veprime ushtarake.
Fusha të tjera të OKB-së përfshijnë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me seli në Hagë, e cila shërben si krahu gjyqësor i organizatës, e cila zgjidh mosmarrëveshjet ligjore midis shteteve dhe ofron mendime këshillimore mbi të drejtën ndërkombëtare. OKB-ja mbikëqyr gjithashtu një sërë agjencish dhe programesh të specializuara, të tilla si UNICEF-i, i cili mbron të drejtat e fëmijëve, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila koordinon përpjekjet ndërkombëtare të shëndetit publik.
Për më tepër, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë u krijua në vitin 1945 me qëllim promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës, kulturës dhe komunikimit. Këto organe dalin në pah në momente të ndryshme kohore dhe për çështje të ndryshme.
Cilat janë disa nga sfidat e saj të fundit gjeopolitike?
OKB-ja e gjen veten duke lundruar në një peizazh global gjithnjë e më të paqëndrueshëm, të shënuar nga kriza në thellim që testojnë kufijtë e diplomacisë shumëpalëshe dhe reagimit humanitar. Lufta në Ukrainë është në vitin e saj të tretë dhe vazhdon të minojë Kartën e OKB-së, me sulme të pamëshirshme ruse që shkaktojnë viktima dhe zhvendosje të gjera civile.
"Shumë njerëz do të përmendnin në këtë kontekst, pushtimin rus të Ukrainës, faktin që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk ka qenë në gjendje të ndërmarrë asgjë në përgjigje të kësaj. Në mënyrë të ngjashme, njerëzit do të përmendnin urinë në Gaza, urinë në Sudan. Pra, një numër situatash ku Kombet e Bashkuara, konkretisht Këshilli i Sigurimit, do të thoja, nuk ka qenë në gjendje të veprojë në mënyrën që ishte parashikuar”, tha Veronika Fikfak nga University College London.
Në Sudan, konflikti midis fraksioneve ushtarake rivale është përshkallëzuar në një nga emergjencat më të këqija humanitare në botë, duke zhvendosur miliona dhe duke kufizuar rëndë shpërndarjen e ndihmës. Ndërkohë, konflikti Izrael-Palestinë pas sulmeve të 7 tetorit e ka parë Gazën të përballet me shkatërrim katastrofik dhe kushte të ngjashme me urinë, duke nxitur operacione urgjente ndihme të OKB-së për shkak të bllokimit politik. Salla e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u bë skenë e një fjalimi të ashpër të Presidentit Francez, Emmanuel Macron i cili njohu një shtetësi palestineze. Vendim të cilën e ndoqën edhe disa shtete të tjera të Komunuelthit britanik. Por duket se këto lëvizje kanë pak gjasa të ndryshojnë realitetin në terrin për Rripin e Gazës.
"Gjatë dy dekadave të fundit, Kombet e Bashkuara janë përballur me kriza të reja, probleme të reja, por ndoshta ajo që është përballur me diçka që nuk e ka hasur kurrë më parë është një ngurrim nga ana e shteteve për t'u bashkuar dhe për të zgjidhur konfliktet e tyre qoftë brenda Kombeve të Bashkuara ose nëpërmjet marrëveshjes", shtoi Fikfak.
Kombet e Bashkuara po detyrohen të përmirësojnë efikasitetin dhe të ulin kostot për shkak të një krize financiare dhe do të shkurtojnë një të katërtën e paqeruajtësve në nëntë operacione anembanë botës në muajt e ardhshëm për shkak të mungesës së parave, thanë zyrtarë të lartë të OKB-së më 8 tetor 2025, pasi financimi i ardhshëm nga Shtetet e Bashkuara mbetet i pasigurt.
Uashingtoni është kontribuesi më i madh i paqeruajtësve të OKB-së, duke përbërë më shumë se 26% të financimit, i ndjekur nga Kina e cila paguan gati 24%. Theksojmë se këto pagesa nuk janë vullnetare. SHBA-të kishin tashmë 1.5 miliardë dollarë borxhe para se të fillonte viti i ri financiar më 1 korrik 2025, tha një zyrtar i dytë i OKB-së, citon Reuters. Uashingtoni tani ka edhe 1.3 miliardë dollarë shtesë borxhe, duke e çuar faturën e saj totale të papaguar në më shumë se 2.8 miliardë dollarë.
"Një numër vendesh nuk i kanë paguar kontributet e tyre. Dhe më parë, në vitet e kaluara, vendet do të ndërhynin dhe do të mbushnin boshllëkun. Megjithatë, në pesë, dhjetë vitet e fundit, ne po flasim në të vërtetë për një krizë buxhetore ku vendet e mëdha po refuzojnë të paguajnë kontributet e tyre për një numër arsyesh të ndryshme. Por ajo që ka nënkuptuar është se Kombet e Bashkuara, një numër institucionesh të Kombeve të Bashkuara, nuk janë në gjendje të kryejnë punën e tyre, nuk janë në gjendje të planifikojnë, nuk janë në gjendje të jenë strategjikisht të pranishme në diskutime. Dhe dua të nënvizoj se kjo ka qenë gjithashtu një strategji për ta bërë një institucion që konsiderohej i madh dhe i rëndësishëm në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ta bëjnë atë të vogël dhe joefikas".
SHBA-të i kanë thënë OKB-së se do të bëjnë një pagesë së shpejti prej 680 milionë dollarësh, tha zyrtari i parë i OKB-së. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në gusht anuloi në mënyrë të njëanshme rreth 800 milionë dollarë fonde për ruajtjen e paqes të ndara për vitet 2024 dhe 2025, sipas një mesazhi të administratës Trump drejtuar Kongresit. Zyra e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë ka propozuar gjithashtu eliminimin e fondeve për misionet paqeruajtëse të OKB-së në vitin 2026, duke përmendur dështimet e operacioneve në Mali, Liban dhe Republikën Demokratike të Kongos. Disa udhëheqës kanë bërë thirrje për një reformë të Kombeve të Bashkuara dhe në veçanti të Këshillit të Sigurimit me 15 anëtarë, duke argumentuar se ishte e padrejtë që Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Britania ishin të vetmet fuqi të përhershme me të drejtë vetoje.
"Një reformë gjithëpërfshirëse është e nevojshme në Kombet e Bashkuara, veçanërisht në Këshillin e Sigurimit. Në fakt, bota është më e madhe se pesë vende. Ne duhet të demokratizojmë procedurën e vendimmarrjes në OKB. Rezolutat që miratohen me shumicë dërrmuese në Asamblenë e Përgjithshme nuk mund të zbatohen për shkak të Këshillit të Sigurimit. Paqja dhe siguria ndërkombëtare nuk mund të lihen në vullnetin e një klike të privilegjuar të përbërë nga një numër i kufizuar vendesh".
Por cilat janë disa nga sfidat me të cilën përballen Kombet e Bashkuara në dekadën e ardhshme?
Sipas stiduiueses së të Drejtave të Njeriut dhe të Drejtës Ndërkombëtare në Shkollën e Politikave Publike të Kolegjit Universitar të Londrës, Veronika Fikfak, lëvizja drejt regjimeve autokratike po ndikon në funksionimin e OKB-së, pasi disa shtete anëtare i refuzojnë gjithnjë e më shumë institucionet ndërkombëtare dhe synojnë qëllimisht të minojnë proceset e Kombeve të Bashkuara. Sfida të tjera përfshijnë teknologjitë e reja, dezinformimin dhe çështjen e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në të gjithë botën përballë disa shteteve anëtare të fuqishme që minojnë institucionet ndërkombëtare, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
"Kombet e Bashkuara janë aty për ne... ishin aty, të krijuara që vendet të ulen dhe të flasin së bashku dhe të thonë se nuk do të luftojmë më kurrë. Nuk do të vrasim kurrë njëri-tjetrin. Tani do të flasim dhe do të gjejmë zgjidhje përmes bisedës. Por në fakt, ajo që po ndodh aktualisht është se ka vende dhe zona ku kjo nuk është më në interesin e tyre të disa vendeve dhe kështu dëmton institucionin e Kombeve të Bashkuara dhe proceset që ai ofron, punon drejt qëllimeve të caktuara dhe në favor të vendeve të caktuara që thjesht e bëjnë vetë. Dhe ky është një shqetësim i madh. Nëse e bëjmë këtë një efekt ngjitës ku vendet ndjekin njëra-tjetrën jashtë Kombeve të Bashkuara dhe krijojnë procese ad hoc ku do të bien dakord, atëherë ne në të vërtetë e kemi shkatërruar komunitetin ndërkombëtar që zhvilluam dhe krijuam në vitin 1945". (A2 Televizion)