Një sulm me dronë ukrainas ndaj një fabrike gazi në Orenburg të Rusisë – një nga objektet më të mëdha të këtij lloji në botë – vazhdon të ndikojë në prodhimin e gazit në Kazakistanin fqinj, ndërkohë që Bashkimi Evropian po përgatitet të heqë dorë nga importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027.
Sipas Ministrisë së Energjisë së Kazakistanit, sasia e gazit në objektin kazak u pezullua pas sulmit të 19 tetorit – i pari i raportuar ndaj kësaj fabrike, që është pjesë e kompleksit gazo-kimik të Orenburgut, të operuar nga gjigandi shtetëror rus i energjisë, Gazprom.
Agjencia Reuters citoi burime më 20 tetor që thanë se, për shkak të sulmit, prodhimi në fushën kazake Karachaganak ra për 25 deri në 30 për qind. Fabrika përpunon rreth 37.5 miliardë metra kub gaz në vit.
Zyrtarët në Kiev kanë konfirmuar se Ukraina qëndron pas sulmit, të cilin presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e përshkroi si dëshmi të “rritjes, si në shtrirje ashtu edhe në saktësi, të sulmeve tona me rreze të gjatë ndaj Rusisë”.
“Pothuajse çdo ditë ose çdo dy ditë, rafineritë e naftës ruse po goditen. Dhe, kjo ndihmon për ta kthyer Rusinë në realitet”, shtoi ai.
Në muajt e fundit, Kievi ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë, të cilat duket se po shkaktojnë mungesa karburanti dhe rritje çmimesh brenda vendit.
Një depo nafte në Novokuibyshevsk u godit gjithashtu muajin e kaluar, dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi dëme të mëdha në infrastrukturën e saj.
Ndërkohë, ministrat e energjisë të BE-së miratuan një plan që parashikon heqjen graduale të importeve të gazit dhe naftës ruse drejt bllokut deri në janar 2028, pavarësisht kundërshtimeve nga Sllovakia dhe Hungaria, të cilat mbeten të varura nga furnizimet ruse.
Plani, së bashku me sanksionet ndaj Rusisë, u nxit nga lufta e Moskës kundër Ukrainës dhe është pjesë e një strategjie më të gjerë të bllokut prej 27 shtetesh.
“Edhe pse kemi punuar shumë dhe jemi përpjekur ta largojmë gazin dhe naftën ruse nga Evropa vitet e fundit, ende nuk e kemi arritur plotësisht”, tha Lars Aagaard, ministri i Energjisë së Danimarkës, e cila mban presidencën e radhës të BE-së.
Ai shtoi se marrëveshja e 20 tetorit është “një hap vendimtar” drejt këtij qëllimi.
Para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në shkurt 2022, Rusia përbënte rreth 45 për qind të importeve të gazit të BE-së. Tani kjo shifër ka rënë në rreth 12 për qind.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha më 20 tetor se paketa e re e sanksioneve, e 19-ta me radhë, ndaj Rusisë mund të miratohet që këtë javë.
“Rusia e kupton vetëm forcën. Ajo negocion vetëm kur vendoset nën presion”, tha ajo./ REL (A2 Televizion)