
Të paktën 90 persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi të fuqishëm në një minierë qymyri në provincën Shanxi, në veri të Kinës, raportojnë mediat shtetërore kineze. Ngjarja konsiderohet si katastrofa më e rëndë minerare në vend që nga viti 2009.
Shpërthimi ndodhi të premten në mbrëmje, rreth orës 19:29 sipas kohës lokale, në minierën e qymyrit Liushenyu, ku në momentin e incidentit ndodheshin 247 punëtorë. Më shumë se 100 prej tyre janë nxjerrë të gjallë, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende.
Sipas autoriteteve kineze, qindra forca shpëtimi janë angazhuar në vendngjarje, ndërsa Ministria e Menaxhimit të Emergjencave ka dërguar 345 specialistë nga gjashtë ekipe të ndryshme për të ndihmuar operacionin, shkruan A2CNN.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, kërkoi mobilizim maksimal për shpëtimin e të mbijetuarve, trajtimin e të plagosurve dhe hetimin e plotë të shkaqeve të shpërthimit. Ai gjithashtu bëri thirrje që përgjegjësit të mbahen para drejtësisë.
Në spitalet lokale janë dërguar 27 persona të plagosur, njëri prej tyre në gjendje kritike. Sipas mediave shtetërore, shumica kanë pësuar helmim nga gazrat toksikë të përhapur pas shpërthimit.
Një nga minatorët e mbijetuar tregoi se fillimisht nuk dëgjoi zhurmë shpërthimi, por pa një re të dendur tymi dhe ndjeu erë squfuri. “Pashë njerëz që rrëzoheshin nga tymi. Edhe unë humba ndjenjat për rreth një orë,” tha ai për mediat kineze.
(A2 Televizion)