Tre dekada pas një prej episodeve më të errëta të marrëdhënieve mes Kubës dhe Shteteve të Bashkuara, emri i Raul Castros rikthehet në qendër të vëmendjes globale. Ish-presidenti kubanez, vëllai i Fidel Castros dhe një nga figurat më të fuqishme të revolucionit kuban, është paditur zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara për vrasje dhe komplot për vrasjen e katër shtetasve amerikanë. Një vendim historik, që rrezikon të ndezë një tjetër krizë mes Uashingtonit dhe Havanës dhe që rikthen në skenë fantazmat e Luftës së Ftohtë.
Gjithçka lidhet me incidentin e vitit 1996, kur avionë luftarakë kubanë rrëzuan dy avionë civilë të organizatës “Brothers to the Rescue”, një grup emigrantësh kubanezë me bazë në Miami. Katër persona humbën jetën. Për vite me radhë, familjet e viktimave dhe komuniteti kubano-amerikan kërkuan drejtësi. Sot, administrata Trump thotë se ajo ditë më në fund ka ardhur.
Në Miami, Departamenti Amerikan i Drejtësisë shpalli publikisht aktakuzën ndaj Raul Castros dhe pesë personave të tjerë. Sipas autoriteteve amerikane, bëhet fjalë për një operacion të organizuar nga shteti kuban.
Todd Blanche, prokuror i përgjithshëm në detyrë i SHBA-ve, tha: “Sot po njoftojmë një aktakuzë që akuzon Raul Castron dhe disa persona të tjerë për komplot për të vrarë shtetas amerikanë.”
Në sallë pati duartrokitje. Për shumë emigrantë kubanezë në Florida, ky ishte një moment që e kishin pritur prej dekadash. Blanche tha se drejtësia ka vonuar, por nuk është harruar.
Todd Blanche u shpreh se: “Aktakuza u kthye nga një juri federale në Miami më 23 prill 2026 dhe u bë publike sot. Për gati 30 vjet, familjet e katër amerikanëve të vrarë kanë pritur drejtësi.”
Sipas aktakuzës, avionë ushtarakë kubanezë qëlluan me raketa ndaj avionëve civilë, duke vrarë katër amerikanë. Uashingtoni pretendon se operacioni ishte i koordinuar dhe i miratuar nga nivelet më të larta të pushtetit në Havana.
“Sipas aktakuzës, Raul Castro dhe pesë bashkëpunëtorë morën pjesë në një komplot që përfundoi me avionë ushtarakë kubanë që lëshuan raketa ndaj avionëve civilë dhe vranë katër amerikanë”, vijoi Todd Blanche.
Por ndërsa në SHBA kjo paraqitet si triumf i drejtësisë, në Kubë perceptimi është krejt ndryshe. Në rrugët e Havanës, shumë qytetarë e shohin këtë si një tjetër përpjekje të Uashingtonit për të destabilizuar ishullin.
Seferino Casalles, banor i Havanës tha: “Së pari, nuk jam dakord që ndonjë vend të ndërhyjë këtu në Kubë, as Shtetet e Bashkuara dhe askush tjetër. Së dyti, nuk mendoj se Raul Castro duhet të mbahet përgjegjës për diçka që ndodhi 30 vite më parë.”
Në sheshet e Havanës, flamujt kubanezë vazhdojnë të valëviten pranë posterëve të Fidel Castros, Raul Castros dhe presidentit aktual Miguel Diaz-Canel. Për regjimin kjo çështje nuk është vetëm juridike, por thellësisht politike.
Juan Carlos Imbert, banor i Havanës u shpreh se: “Kjo vjen nga një segment shumë specifik i shoqërisë amerikane, veçanërisht në Miami, që nuk e ka kapërcyer kurrë incidentin e Gjirit të Derrave. Mendoj se kjo synon të përshkallëzojë konfliktin në një moment të vështirë për të dy vendet.”
Në rrjetin X, presidenti kuban Miguel Diaz-Canel reagoi menjëherë. Ai e quajti aktakuzën një fabrikim politik pa bazë ligjore dhe akuzoi SHBA-në se po manipulon ngjarjet e vitit 1996 për të justifikuar agresion ndaj Kubës.
Sipas tij, organizata “Brothers to the Rescue” nuk ishte një grup humanitar, por një organizatë që kishte shkelur hapësirën ajrore kubane dhe kishte provokuar Havanën.
Edhe televizioni shtetëror kuban transmetoi një deklaratë të ashpër të qeverisë.
Humberto Lopez nga TV shtetëror kuban tha: “Qeveria revolucionare e dënon me forcën më të madhe të mundshme këtë akuzë të neveritshme ndaj liderit të Revolucionit. SHBA-së i mungon legjitimiteti dhe juridiksioni për të ndërmarrë një veprim të tillë.”
Për Havanën, ky është një provokim i rrezikshëm. Për më tepër, ai vjen në një moment kur administrata Trump ka rikthyer presionin maksimal ndaj Kubës dhe po flet hapur për ndryshim regjimi.
Në Uashington, kongresmenë republikanë me origjinë kubane e përshëndetën aktakuzën si një fitore historike.
Mario Diaz-Balart, kongresmen republican u shpreh: “Presim që dita e drejtësisë më në fund të ketë ardhur dhe që këta individë të kenë ditën e tyre të drejtësisë.”
Maria Elvira Salazar, kongresmene republikane shprehet: “Mesazhi për familjen Castro është ky: kuptojeni mirë, ditët tuaja kanë marrë fund. Një aktakuzë federale është një çështje shumë serioze.”
Këto deklarata tregojnë se çështja kubane po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e betejës politike amerikane, veçanërisht në Florida, ku vota e emigrantëve kubanë mbetet shumë e rëndësishme.
Pak orë pas publikimit të aktakuzës, edhe Donald Trump reagoi publikisht. Presidenti amerikan foli për një “ditë të madhe” për Kubën dhe komunitetin kubano-amerikan.
Donald Trump, president i SHBA-ve tha: “Kemi Kubën në mendje. Është një ditë shumë e rëndësishme për njerëzit që duan të shohin familjet e tyre në Kubë dhe të shohin Kubën të lirë.”
PYETJE GAZETARI: “A duhet të presim përshkallëzim?” TRUMP: “Jo. Nuk mendoj se ka nevojë për përshkallëzim.”
Megjithatë, pavarësisht toneve qetësuese të Trumpit, atmosfera në Miami po bëhet gjithnjë e më e tensionuar. Në Domino Park dhe në rrugët e Little Havana-s, emigrantë kubanë dolën në protesta duke kërkuar fundin e regjimit në Havana.
Martin Rabell, emigrant kuban thotë se: “Kur të shkojnë në Kubë, të parët që duhet të largojnë janë Raul Castro dhe Diaz-Canel. Sillini këtu.”
Disa protestues shkuan edhe më larg, duke kërkuar që udhëheqësit kubanë të trajtohen si kriminelë lufte. Në protesta u panë pankarta ku shkruhej “Ndërhyni tani” dhe “Vrasës e terroristë”. Një retorikë që në Havana shihet si provë se pas aktakuzës fshihet diçka më e madhe sesa thjesht drejtësia.
Këtë e la të kuptohet edhe zv.ministri i Jashtëm kuban, Carlos Fernandez de Cossio, i cili paralajmëroi SHBA-në të mos ndërmarrë hapa të tjerë.
Carlos fernandez de Cossio, zv.ministër i Jashtëm i Kubës shprehet: “Çdo përpjekje për të përdorur këtë si justifikim për veprime kundër këtyre shokëve në Kubë do të përballet me rezistencë të ashpër nga populli kuban.”
Një nga momentet më të forta të ditës ishte edhe deklarata e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, kur u pyet nëse SHBA pret realisht që Raul Castro të përfundojë në një gjykatë amerikane.
Todd Blanche thotë: “Ne padisim njerëz jashtë këtij vendi gjatë gjithë kohës. Ka mënyra të ndryshme për t’i sjellë këtu. Kjo nuk është një aktakuzë për shfaqje. Është një aktakuzë sepse presim që ai të paraqitet këtu, me vullnetin e tij ose në një mënyrë tjetër.”
Një deklaratë që ka ngritur pikëpyetje të mëdha: a po sinjalizon Uashingtoni operacione të fshehta, presion ndërkombëtar apo diçka edhe më serioze?
Ndërkohë, në Kubë, regjimi përpiqet ta përdorë këtë krizë për të mobilizuar opinionin publik kundër SHBA-së. Për shumë kubanë, kjo është vazhdimësi e dekadave të embargos, presionit dhe përplasjes ideologjike me Amerikën. Por realiteti është se Kuba ndodhet në një krizë të thellë ekonomike, me mungesa ushqimore, ndërprerje energjie dhe emigrim masiv. Dhe shumë analistë besojnë se administrata Trump po përpiqet të shfrytëzojë pikërisht këtë dobësi për të shtuar presionin ndaj regjimit. (A2 Televizion)