Autoritetet polake kanë ngritur nivelin e vigjilencës pas informacioneve për një kërcënim të mundshëm ndaj kryeministrit Donald Tusk dhe ministrit të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz.
Pas sinjalizimit, u zhvillua një takim urgjent me përfaqësues të policisë, shërbimit përgjegjës për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë dhe Agjencisë së Sigurisë së Brendshme, me qëllim vlerësimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, zëdhënësi i shërbimeve speciale polake, Jacek Dobrzyński, deklaroi se autoritetet po e trajtojnë çështjen me seriozitet maksimal.
Ai paralajmëroi se kërcënimi konsiderohet i rëndësishëm, ndërsa deri më tani nuk janë bërë publike detaje të mëtejshme mbi natyrën e tij apo personat që mund të qëndrojnë pas tij.
Nuk ka ende informacione zyrtare që të konfirmojnë se bëhet fjalë për një atentat të mirëfilltë, ndërsa autoritetet po vijojnë vlerësimin e të dhënave të disponueshme. (A2 Televizion)