Trump aprovon planin e luftës në Iran, sulmohet spitali i Izraelit, goditet reaktori bërthamor i Arak

Nga A2 CNN
19 Qershor 2025, 16:39 | Bota

Të tjera orë zjarri në Lindjen e Mesme, ku lufta mes Izraelit dhe Iranit bëhet më e egër. Një spital në Beersheva në Izraelin jugor u godit drejtpërdrejtë nga raketat e Teheranit, në një prej valëve më intensive të sulmeve nga Republika Islamike, që prej shpërthimit të konfliktit.

Autoritetet në Izrael, por edhe imazhet e shfaqura në rrjet tregojnë se spitali Soroka ka pasuar dëme të mëdha, ndërsa mbi 30 persona kane mbetur të plagosur sipas shërbimeve të emergjencës.

Në një reagim të ashpër në platformën X, kryeministri Benjamin Netanjahu u zotua se tiranët në Teheran do të paguanin një çmim të lartë për sulmin. Gjithashtu Izraeli goditi objektivë armike gjatë orëve të fundit, duke shënjestruar zona kyçe bërthamore.

Siç pohoi ushtria ishte goditur reaktori Khondab në zonën joaktive të Arak, dhe gjithashtu kompleksi bërthamor i Natanz.  Zhvillimet vijnë teksa presidenti amerikan, raportohet të ketë aprovuar planet për të sulmuar Iranin, por ende nuk ka marrë vendimin final, për të goditur ose jo vendin. Kur u pyet nëse do t’i bashkohej operacionit izraelit, Trump u përgjigj: “Mund ta bëj..mund të mos e bëj. Askush nuk e di se çfarë do bëj! Ata duhet të kishin pranuar marrëveshjen, kisha një marrëveshje shumë të mirë për ta”.

Deklarata e Trump erdhi pasi lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khameni refuzoi thirrjet e presidentit amerikan për tu dorëzuar pa kusht edhe paralajmëroi se çdo ndërhyrje amerikane do sillte dëme të pariparueshme. 

Media iraniane raportoi se dy predha kishin goditur reaktorin e ujit të rëndë në Arak, i cili përbën një rrezik të lartë pasi mund të prodhojë me lehtësi plutonium që përdoret si uranium për prodhimin e armatimeve bërthamore.

Ndërkohë pas dy ditësh sulme të pasuksesshme nga ana e Iranit, nga Izraeli erdhën pamje shkatërrimi këtë mëngjes, me sirenat e alarmit dhe shpërthimet që u dëgjuan si në Tel Aviv ashtu edhe Jerusalem.

Një sërë ambasadash, kryesisht europiane dhe afrikane gjenden disa qindra metra larg zonës së sulmuar ne Tel Aviv.

Garda revolucionare e Iranit tha se po shënjestronte objektivë ushtarake dhe të inteligjencës pranë spitalit të goditur të Soroka.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos