Më shumë se gjashtë vjet pas takimit të tyre të fundit, Donald Trump dhe Vladimir Putin janë përsëri ballë për ballë.
Të dy udhëheqësit përshëndetën njëri-tjetrin me një shtrëngim duarsh pasi zbritën nga avionët presidencialë në bazën ushtarake Elmendorf-Richardson në Anchorage, në Alaskë.
Trump i buzëqeshur madje duartrokiti presidentin rus ndërsa ai iu afrua në tapetin e kuq.
Teksa dy liderët shtrëngonin duart në pistën e aeroportit në Alaskë, disa avionë ushtarakë amerikanë kaluan sipër tyre, përfshirë avionë luftarakë dhe atë që dukej të ishte një bombardues B-2.
Trump dhe Putin janë duke udhëtuar së bashku, me të njëjtën makinë drejt sallës ku do të zhvillohet samiti.
Pasi shtrënguan duart në tapetin e kuq, Donald Trump dhe Vladimir Putin u drejtuan drejt automjeteve që po i prisnin, por, pavarësisht se Putin kishte sjellë limuzinën e tij "Aurus" dhe ajo u pa në pistë pranë aeroplanëve, presidenti rus hipi në limuzinën presidenciale amerikane, të njohur si "Bisha".
Presidenti rus u pa me një buzëqeshje të gjerë në fytyrë, ndërsa Trump po përshëndeste njerëzit. (A2 Televizion)