Rusia vazhdon valën e sulmeve të rënda kundër Ukrainës. Dronët dhe raketat e lëshuara nga forcat e Putinit në qytetin Dnipro u morën jetën 3 personave dhe lanë të plagosur dhjetëra të tjerë.
Kjo është konfirmuar nga autoritetet lokale, që saktësojnë se mes viktimave ka fëmijë dhe një grua të moshuar. E lënduar mbeti dhe një foshnje e sapolindur dhe në spital për trajtim të mëtejshëm janë dërguar 16 persona.
Shpërthime të forta janë dëgjuar në qytet, të cilat dëmtuan ndërtesat e banimit, shkollat, strukturat kulturore dhe automjetet. Rusia ka sulmuar me raketa edhe qytetin Izium në rajonin e Harkivit. Guvernatori rajonal konfirmoi disa të plagosur.
Qyteti në fjalë ishte pushtuar nga forcat ruse që në ditët e para të nisjes së tentativës për pushtim të Ukrainës, por që u çlirua në fund të atij viti.
Presidenti Volodymyr Zelenski premton hakmarrje për bombardimet e fundit, veçanërisht për masakrën në Sumi, ku u vranë 35 persona.
“Kemi me çfarë tu përgjigjemi sulmeve të tilla dhe nuk do t’i lëmë në paqe në këtë tokë ata bastardë që vrasin njerëzit tanë. Kemi të drejtë ta bëjmë këtë dhe prandaj duhet t’u përgjigjemi vrasësve siç e meritojnë”, paralajmëroi lideri ukrainas.
Kjo vjen në një kohë kur në Paris mbahen bisedime të rëndësishme nga Perëndimi lidhur me fatin e luftës dhe paqen mes Kievit dhe Moskës. Në atë takim janë edhe i dërguari special Steve Witkoff dhe sekretari i shtetit, Marco Rubio, të cilët në emër të presidentit amerikan, Donald Trump, do të zhvillojnë bisedime me homologët europianë në kryeqytetin francez. Në atë event për fundin e luftës do të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes të Ukrainës. (A2 Televizion)