Tragjedi në lumin Kongo, të paktën 50 të vdekur

Nga A2 CNN
17 Prill 2025, 08:17 | Bota

Tragjedi në lumin Kongo, të paktën 50 të vdekur

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në veriperëndim të Kongos, ku një barkë e mbushur me pasagjerë ka marrë flakë dhe është përmbysur në lumin Kongo, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 50 personave dhe zhdukjen e qindra të tjerëve.

Ngjarja ndodhi pranë qytetit Mbandaka, kur një barkë e madhe prej druri me motor, që transportonte rreth 400 persona, u përfshi nga flakët dhe më pas u përmbys. Sipas një zyrtari lokal, dhjetëra të mbijetuar janë shpëtuar nga uji, megjithatë shumë prej tyre kanë pësuar djegie të rënda.

Barka ishte nisur nga porti i Matankumu dhe kishte destinacion territorin e Bolombës. Shkaku i zjarrit ende nuk është konfirmuar, ndërkohë që autoritetet provinciale dhe ekipet e Kryqit të Kuq po punojnë intensivisht për të gjetur të mbijetuar dhe për të identifikuar viktimat.

Ngjarja ka tronditur komunitetin vendas dhe ka rikthyer në vëmendje kushtet e rrezikshme të udhëtimit në rrugët ujore të Kongos, ku mbingarkimi dhe mungesa e masave të sigurisë janë probleme të zakonshme.

Autoritetet kanë premtuar hetime të thelluara dhe masa për të parandaluar tragjedi të ngjashme në të ardhmen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos