Presidenti amerikan Donald Trump mbërrin sot në Davos të Zvicrës, ku mund të prezantojë rregulla të reja për botën, edhe pse ka sinjale se shumica e shteteve janë të gatshme për ta kundërshtuar. 79-vjeçari, i cili shënoi të martën fundin e vitit të parë në detyrë në mandatin e tij të dytë, pritet të eklipsojë takimin vjetor që elitat globale e përdorin për të diskutuar trendet ekonomike, me përshkallëzimin e përpjekjeve për të marrë Groenlandën.
Në një konferencë për shtyp një ditë më parë, Trump paralajmëroi se do të zhvillonte një sërë takimesh mbi territorin e Groenlandës dhe se ishte optimist se një marrëveshje do të arrihej.
“Europianëve u duhet shumë një marrëveshje me ne. Me të vërtetë. Kemi shumë takime të planifikuara në Davos për Groenlandën dhe mendoj se gjithçka do të shkojë mirë. Mendoj se do të gjejmë diçka ku NATO do të jetë e lumtur dhe ku ne do të jemi shumë të lumtur. Por ne kemi nevojë për Groenlandën për qëllime sigurie. Ne kemi nevojë për sigurinë kombëtare”, tha Trump, përcjell A2.
I pyetur se deri ku ishte i gatshëm të shkonte për të siguruar Groenlandën, Trump u përgjigj: “Do ta shihni…”.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump do të mbërrijë tre orë me vonesë në Davos, pasi avioni i tij presidencial u detyrua të kthehej për shkak të një problemi të vogël elektrik, siç u tha, i cili më vonë u zgjidh.
Gjatë ditëve të fundit, presidenti amerikan nuk është lodhur së përsërituri se kanë nevojë për Groenlandën për të garantuar sigurinë në Arktik përballë kërcënimit rus dhe kinez, dhe ka paralajmëruar tarifa 10 për qind dhe luftë tregtare për shtetet europiane që e kundërshtojnë.
Marrëdhëniet mes aleatëve transatlantikë duken në pikën më të ulët në dekada, me liderët europianë që po shprehin njëzëri vendosmërinë për të mos lëshuar pe para shantazheve të Trump. Presidenti Macron i cilësoi të papranueshme kërcënimet për tarifa dhe tha se preferonin respektin para bullistëve.
Presidentja e Komisionit Europian e bëri të qartë se sovraniteti dhe integriteti territorial i Groenlandës janë të panegociueshme, ndërsa kryeministri kanadez dënoi përdorimin e mjeteve ekonomike si armë dhe kërkoi ripërtëritjen e bashkëpunimeve shumëpalëshe. Ministrja e Industrisë në Groenlandë tha se ata nuk dëshironin të bëheshin amerikanë. (A2 Televizion)