Irani sulmon ashpër Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Ambasadori i Teheranit në OKB, Amir Saeid Iravani, i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres duke pretenduar se “Amerika dhe Izraeli “mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe të pamohueshme ligjore për humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm, veçanërisht të rinjve”.
Departamenti Amerikan i Shtetit u ka kërkuar qytetarëve amerikanë të largohen menjëherë nga Irani dhe “të marrin në konsideratë largimin tokësor, nëse është e mundur, për në Armeni ose Turqi”. Departamenti rekomandoi që amerikanët “të kërkojnë mjete alternative komunikimi” për shkak të “ndërprerjeve të vazhdueshme të internetit” dhe “të kenë një plan largimi që nuk varet nga ndihma e qeverisë amerikane”.
Kjo sinjalizon se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë është marrë një vendim lidhur me ndërhyrjen ushtarake, apo për opsionet e tjera në tryezën e presidentit Donald Trump, shkruan A2.
“Mesazhi për Iranin është se ata duhet të tregojnë humanizëm. Ata kanë një problem të madh. Dhe shpresoj se nuk do të vrasin njerëz. Dhe do të kem një raport shumë shpejt. Më duket se ata janë sjellë shumë keq, por kjo nuk është konfirmuar ende”, tha Trump.
Presidenti nënvizon se SHBA-të do të ndërmarrin “masa shumë të forta” kundër Iranit nëse ai ekzekuton protestuesit, pasi më parë u tha iranianëve se “ndihma është rrugës”. Kjo vjen ndërsa të afërmit e 26-vjeçarit Erfan Soltani, i cili u arrestua javën e kaluar, i thanë BBC Persian se ai do të ekzekutohet sot. Më shumë se 2,400 demonstrues antiqeveritarë janë vrarë në një shtypje të dhunshme nga autoritetet iraniane, sipas një grupi të të drejtave të njeriut me seli në SHBA. Por mediat opozitare me seli në Londër kanë dhënë alarmin se shifra reale e personave të vrarë në manifestime ka shkuar mbi 12 mijë.
Trump ka peshuar opsionet ushtarake dhe të tjera në përgjigje, duke njoftuar tashmë tarifa prej 25% për çdo vend që tregton me Iranin. Qeveria në Teheran ka akuzuar SHBA-në se po përpiqet të “shpikë një pretekst për ndërhyrje ushtarake , duke paralajmëruar se “ky manual ka dështuar më parë”. Ministri iranian i Mbrojtjes, gjeneral brigade Aziz Nafizardeh, paralajmëroi se vendi i tij do të sulmojë bazat amerikane në rajon nëse Shtetet e Bashkuara nisin një ofensivë. (A2 Televizion)