Trump kërkon negociata të menjëhershme për të blerë Groenlandën

Nga A2 CNN
21 Janar 2026, 15:37 | Bota

Trump kërkon negociata të menjëhershme për të

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë në Davos se kërkon negociata të menjëhershme për të blerë Groenlandën

"Po kërkoj negociata të menjëhershme për të blerë Groenlandën. Vetëm Shtetet e Bashkuara mund të garantojnë sigurinë botërore me kontrollin e Grenlandës”, u shpreh presidenti amerikan, teksa e quajti Danimarkën mosmirënjohëse, raporton A2 CNN.

"Jam i lumtur që kthehem këtu në Davos për të takuar shumë miq dhe disa armiq. SHBA-ja është  trajtuar shumë keq nga NATO. Ne dhamë kaq shumë dhe morëm shumë pak në këmbim. Shtetet e Bashkuara shpëtuan Groenlandën dhe ia kthyen Danimarkës pas Luftës së Dytë Botërore, tani Kopenhageni është mosmirënjohës. Pas Luftës së Dytë Botërore, ne ia kthyem Groenlandën Danimarkës. Sa budallenj ishim: duhet ta kishim mbajtur sepse është pjesë e Amerikës së Veriut, është territori ynë", tha Trump përpara se të bënte thirrje për negociata të menjëhershme për blerjen e Groenlandës, përcjell A2 CNN.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara deklaroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara duhet të rifitojnë kontrollin e Groenlandës, por theksoi se nuk do të përdorë forcë ushtarake për këtë qëllim.

"Kam respektin më të madh për Danimarkën dhe Grenlandën. Ndoshta nuk do të arrijmë asgjë nëse nuk vendos të përdor forcë dhe pushtet të tepërt, në të cilin rast do të ishim, sinqerisht, të pandalshëm, por nuk do ta bëj këtë. Kjo është ndoshta deklarata më e rëndësishme, sepse njerëzit menduan se do të përdorja forcë. Nuk kam pse të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë. E tëra çfarë kërkojnë Shtetet e Bashkuara është një vend i quajtur Groenlandë", tha ai duke e quajtur një "vend të gjerë, pothuajse të pabanuar dhe të pazhvilluar, që rri i pambrojtur".

Sipas tij "nuk ka materiale të rralla tokësore në Groenlandë. Ajo që ka rëndësi është siguria e saj strategjike kombëtare dhe siguria ndërkombëtare". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos