Një hap të madh për njerëzimin, lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Kështu e ka cilësuar liderja e opozitës venezuelase Maria Corina Machado, arrestimin e Nicolas Maduro nga Shtetet e Bashkuara. Duke folur për Fox News disa orë pas daljes së ish-udhëheqësit 63-vjeçar të shtetit të Amerikës Latine dhe bashkëshortes së tij para një gjykate të Nju Jorkut, Machado u shpreh mirënjohëse për veprimet e presidentit amerikan Donald Trump, i cili, siç tha, meritonte një Çmim Nobel për Paqen.
Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, e cila u largua nga vendi muajin e kaluar për të pranuar çmimin në Norvegji, tha se po planifikon të rikthehet sa më shpejt, shkruan A2.
“Epo, para së gjithash, kam në plan të kthehem në Venezuelë sa më shpejt të jetë e mundur. Siç e kam thënë gjithmonë, çdo ditë marr një vendim për të qenë më e dobishme për kauzën tonë. Kjo është arsyeja pse qëndrova e fshehur për më shumë se 16 muaj. Dhe kjo është arsyeja pse vendosa të dal tani. Por kam në plan të kthehem sa më shpejt të jetë e mundur në shtëpi”, tha ajo.
Machado konsiderohet gjerësisht si kundërshtarja më e besueshme e Venezuelës, por Trump tha të shtunën se ajo nuk e ka mbështetjen ose respektin brenda vendit për të udhëhequr. Ndërkohë, 63-vjeçari Maduro dhe bashkëshortja e tij Cilia Flores u deklaruan të pafajshëm gjatë shfaqjes së tyre të parë në një gjykatë federale të Manhatanit.
“Jam i pafajshëm. Jam njeri për së mbari dhe jam ende presidenti i vendit tim”, ishte deklarata e Maduros për gjyqtarin e çështjes, 92-vjeçarin Alvin Hellerstein. Dhjetëra protestues, pro dhe kundër Maduros, u mblodhën jashtë gjykatës para seancës që zgjati gjysmë ore. Ish-udhëheqësi akuzohet për mbikëqyrje të rrjetit të trafikut të kokainës me kartelë ndërkombëtare të drogës dhe përballet me katër akuza kriminale: narkoterrorizëm, komplot për importim kokaine dhe zotërim të armatimeve dhe pajisjeve shkatërruese. (A2 Televizion)