Trump paralajmëron Hamasin, zemërim në Izrael për pengjet, Netanjahu: Ju pret ferri…

Nga Xhevahir Qardaku
15 Tetor 2025, 10:37 | Bota

Izraelit po i përfundon durimi me Hamasin. Një nga katër trupat e kthyer mbrëmjen e së martës nga grupi palestinez nuk i përket një pengu izraelit, por një palestinezi të vrarë gjatë konfliktit në Gaza. Këtë e raporton media Channel 12, duke cituar një burim nga autoritetet e Tel Avivit. Në anën tjetër, Izraeli transferoi trupat e paidentifikuar të 45 palestinezëve në Spitalin Nasser në Khan Younis. Hamasi duhet të heqë dorë nga armët dhe të çmilitarizohet, përndryshe “do të shpërthejë ferri”.

Kjo u deklarua nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një intervistë me CBS Neës pas vizitës së Donald Trump për të festuar marrëveshjen mbi fazën e parë të planit të tij 20-pikësh për Gazën. Netanyahu shprehu besim në një fazë tjetër paqësore në marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit, dhe tani që pengjet e gjalla janë liruar, ai deklaroi se hapi tjetër duhet të jetë çmilitarizimi dhe çarmatimi. “Së pari, Hamasi duhet të dorëzojë armët e tij”, deklaroi Netanyahu në intervistë. “Së dyti, ne duhet të sigurohemi që nuk ka fabrika armësh brenda Gazës. Nuk duhet të ketë kontrabandë armësh në Gaza. Ky është çmilitarizim”, shtoi ai. Në linjë me këtë, presidenti amerikan paralajmëroi kështu Hamasin:

“Ne u kemi thënë atyre se duam të çarmatoseni dhe ata do të çarmatosen. Dhe nëse nuk çarmatosen, ne do t'i çarmatosim dhe kjo do të ndodhë shpejt dhe ndoshta me dhunë. Por ata do të çarmatosen. A më kuptoni? Sepse gjithmonë të gjithë thonë, 'oh, mirë, ata nuk do të çarmatosen'. Ata do të çarmatosen. Dhe unë fola me Hamasin dhe u thashë, 'Ju do të çarmatoseni, apo jo?' 'Po, zotëri, ne do të çarmatosemi'”, tha Trump.

Trump shtoi se Amerika nuk po bën lojëra në këtë drejtim. Ndërkohë, Izraeli ka hapur pikën e kalimit kufitar, Rafah. Nga Egjipti pritet të futen 600 kamionë me ndihma për në Gaza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos