Trump po mendon t’i bashkohet luftës, Khamenei: Asnjë pikë mëshirë për Izraelin, beteja nis tani

Nga Rosalba Bejdo
18 Qershor 2025, 13:52 | Bota

Trump po mendon t’i bashkohet luftës, Khamenei: Asnjë pikë

Lufta mes Izraelit dhe Iranit rrezikon të marrë një kthesë edhe më të rrezikshme, teksa Shtetet e Bashkuara po mendojnë t’i bashkohen sulmeve kundër Republikës Islamike.

Burime të cituara nga CNN thonë se Presidenti Donald Trump po hapet gjithmonë e më shumë ndaj mundësisë së përdorimit të aseteve ushtarake amerikane ndaj infrastrukturës bërthamore të Iranit, duke iu larguar kështu idesë së një zgjidhje diplomatike të konfliktit, shkruan A2.

Ndërsa fillimisht po shqyrtohet mundësia e angazhimit të forcave ajrore amerikane në furnizimin e avionëve izraelitë me karburantë, po mbahet e hapur dera e një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake të SHBA, nëse gjërat përshkallëzojnë. Një lëvizje e tillë do të përfaqësonte një kthesë të rëndësishme të qëndrimit të Trump, i cili orët e fundit ka ashpërsuar dukshëm tonet, duke i kërkuar së fundmi Iranit dorëzim pa kushte.

Në një postim në rrjetin Social Truth, i përcolli një mesazh të qartë Liderit Suprem Khamenei: “Ne e dimë me saktësi se ku fshihet i ashtuquajturi “Lideri Suprem” i Iranit. Ai është një shënjestër e lehtë, por është ende i sigurt atje. Nuk do ta vrasim, të paktën për momentin”. 

Nuk ka vonuar kundërpërgjigjia e Ajatollahut Khamenei, i cili në një postim në rrjetin social X, paralajmëroi se vendi nuk do të tregohet i pamëshirshëm ndaj udhëheqësve izraelitë.

“Beteja fillon tani”, tha Khamenei, teksa premtoi një regim të fortë ndaj atij që e quajti regjimi terrorist sionist. Izraeli vazhdimisht po ushtron presion tek Trump, në mënyrë që të përfshihet më shumë në fushatën për shkatërrimin e armëve bërthamore të Iranit, diçka që do të kërkonte armatimet dhe avionët amerikanë.

Dy vendet kanë vijuar të shkëmbejnë sulme raketore, me Izraelin që pretendon se ka goditur një zonë të prodhimit të centrifugave dhe armëve në Teheran. Irani thotë se ka përdorur në sulme edhe raketa hipersonike kundër Izraelit, por sipas raportimeve të korrespondentëve ndërkombëtarë, shkalla e sulmeve është reduktuar.  

Teherani paralajmëron ndërkohë se nuk i ka përdorur ende armatimet më të fuqishme. Uashingtoni njoftoi se ambasada e vet në Izrael do të qëndrojë e mbyllur deri të premten.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos