Zgjedhjet mbajtën arkën plotë, s'u realizuan investimet! ‘Financat’: Në 5 muaj u shpenzuan 2.6 mld euro

Nga A2 CNN
18 Qershor 2025, 16:35 | Ekonomi

Zgjedhjet mbajtën arkën plotë, s'u realizuan investimet!

Zgjedhjet e 11 majit frenuan investimet publike në vend. Shifrat e Ministrisë së Financave tregojnë se në 5 muajt e parë të këtij viti nuk u realizuan 128 milionë euro shpenzime të planifikuara. Në total gjatë kësaj periudhe institucionet në vend shpenzuan 2 miliardë 655 milionë euro, nga 2 miliardë 783 milionë euro që ishte plani për këtë pesë-mujor.

Institucionet gjatë periudhës elektorale kufizohen për shkak se mund të bien në kundërshtim me kodin zgjedhor. Shkaku tjetër për mos-realizimin e investimeve ka të bëjë me keqplanifikimin nga ana e institucioneve, siç ndodhi vitin e kaluar, kur pjesa më e madhe e investimeve u bë në fund të vitit të kaluar.

Ndërkohë kjo periudhë e parë e vitit ka rezultuar e ‘artë’ për thesarin e shtetit që po mbledh miliona euro më shumë se vjet. Nga tatimet dhe taksat nga janari deri në fund të muajit maj janë mbledhur 3 miliardë euro ose rreth 187 milionë euro më shumë se vjet në të njëjtën periudhë.

Duke qenë se arka e shtetit po merr më shumë para sesa po nxjerr suficiti për këtë 5-mujor ka arritur në vlerën 400 milionë euro raporton Ministria e Financave.

Vetëm administrata tatimore ka mbledhur 1.1 miliardë euro gjatë kësaj periudhe ku pesha më e madhe bie mbi të punësuarit. Për shkak të rritjes së pagave në administratë, aksionit ndaj pagave të nëndeklaruara dhe dorëzimit të deklaratave të të ardhurave individuale (DIVA), të ardhurat nga tatimi mbi pagat kanë arritur në 341 milionë euro, ose 73 milionë euro më shumë se vitin e shkuar në të njëjtën periudhë. Për këtë arsye janë rritur edhe të ardhurat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që arritën në 735 milionë euro.

Kontributin e dytë më të madh e ka dhënë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që lidhet direkt edhe me konsumin. Nga TVSH-ja janë mbledhur në total 305 milionë euro ose 73 milionë euro më shumë se vjet. Më pas renditen fitimet e bizneseve. Janë 285 milionë euro të ardhura të mbledhura nga tatimi mbi fitimin me rritje prej 8.9 milionë euro në raport me vjet.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos