Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ulur ndjeshëm afatin që i kishte dhënë më parë presidentit rus Vladimir Putin për të arritur një marrëveshje mbi konfliktin në Ukrainë. Në një deklaratë të dhënë sot për mediat, Trump tha se afati i ri është “10 ose 12 ditë nga sot”, duke zëvendësuar atë që ishte 50 ditë, të cilin e kishte shpallur dy javë më parë.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur retorika e Trump ndaj krizës në Ukrainë ka qenë gjithnjë e më e drejtpërdrejtë, duke e paraqitur veten si një figurë që mund të negociojë një përfundim të shpejtë të luftës, shkruan A2 CNN.
Trump foli edhe për situatën në Rripin e Gazës, ku theksoi se Bashkimi Europian është “shumë i përfshirë” në përpjekjet për të ndihmuar popullin palestinez me ndihma ushqimore dhe humanitare. Ai e cilësoi Gazën si një “zonë shumë e trazuar”, duke shtuar se ka qenë e tillë “për dekada”.
Lidhur me çështjen e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, Trump theksoi se është bërë progres në lirimin e tyre, por në mënyrë të ngadaltë dhe të pjesshme. Ai deklaroi se tashmë Hamasi ka mbetur me pak pengje, gjë që sipas tij, e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje. “Sapo t’i lirojnë, nuk do të kenë më mburojë”, u shpreh Trump, duke i cilësuar pengjet si një mjet që Hamasi po e përdor për të mbrojtur veten nga sulmet apo presionet ndërkombëtare. (A2 Televizion)