
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të kishin testuar Artikullin 5 të NATO-s, duke detyruar trupat e aleancës të shkonin për të mbrojtur kufirin jugor, nga “pushtimi” i emigrantëve të paligjshëm.
“Ndoshta duhet ta kishim vënë NATO-n në provë: të kishim aktivizuar Nenin 5 dhe ta kishim detyruar NATO-n të vinte këtu për të mbrojtur kufirin tonë jugor nga pushtime të mëtejshme të emigrantëve të paligjshëm, duke liruar kështu një numër të madh agjentësh të Patrullës Kufitare për detyra të tjera”, shkroi Trump në “Truth Social”.
Neni 5 i NATO-s përcakton se një sulm i armatosur ndaj njërit ose më shumë aleatëve konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Ai parashikon solidaritet kolektiv, ku çdo vend anëtar angazhohet të ndihmojë aleatin e sulmuar. Ndihma mund të përfshijë masa politike, ekonomike ose ushtarake, sipas gjykimit të secilit shtet.
Më herët, presidenti amerikan shkaktoi reagime pasi vuri në dyshim rolin dhe sakrificat e NATO-s gjatë luftës në Afganistan. Në një intervistë për Fox News dhe në rrjetin e tij Truth Social, Trump pretendoi se trupat e vendeve aleate “qëndruan pak më mbrapa, larg vijës së frontit”, duke minimizuar kontributin e tyre në operacionin 20-vjeçar kundër talebanëve.
Ajo ka qenë hera e vetme që NATO ka aktivizuar Nenin 5 të mbrojtjes kolektive pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, duke dërguar mijëra trupa në mbështetje të SHBA-së. Në total, 3486 ushtarë të NATO-s humbën jetën në Afganistan, nga të cilët 2461 ishin amerikanë. Qindra të tjerë erdhën nga vende si Britania e Madhe, Kanadaja, Gjermania, Franca, Italia dhe Danimarka, kjo e fundit me numrin më të lartë të viktimave për frymë pas SHBA-së.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, reagoi duke theksuar se aleatët “e kanë provuar tashmë” mbrojtjen e SHBA-së në Afganistan dhe garantoi se, në rast sulmi ndaj Amerikës, NATO do të ishte sërish pranë saj. (A2 Televizion)