Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i mbijetoi lehtësisht një vote mosbesimi në Parlamentin Europian të enjten.
Një shumicë e madhe e anëtarëve të Parlamentit Europian mbështetën presidenten e Komisionit Europian të qendrës së djathtë në një mocion besimi të sjellë nga grupi i ekstremit të djathtë “Patriotët për Europën”.
Nga 720 ligjvënësit e BE-së, 565 u paraqitën për të votuar. Vetëm 165 mbështetën rrëzimin e Komisionit, me 390 që votuan kundër dhe 10 që abstenuan. Von der Leyen nuk ishte në Strasburg për votimin, shkruan A2CNN.
Mbështetësit e mocionit argumentuan se von der Leyen dhe ekipi i saj i komisionerëve duhet të shkarkohen për shkak të trajtimit të marrëveshjes tregtare BE-Mercosur, e cila sipas tyre dëmton fermerët evropianë duke hapur tregun evropian ndaj konkurrencës së padrejtë.
Tre mocione të ngjashme ishin rrëzuar tashmë gjatë shtatë muajve të fundit. Pragu i nevojshëm për të shkaktuar një debat dhe votim për mocionin e mosbesimit - 72 nga 720 - ka nxitur përpjekje të përsëritura për të rrëzuar Komisionin.
Debati i mosbesimit i së hënës përpara votimit u zhvillua në një sallë pothuajse të zbrazët, me ligjvënësit që bojkotuan në shenjë proteste kundër përpjekjeve të përsëritura nga e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme për të rrëzuar ekzekutivin e BE-së. Edhe kryetari i grupit Patriots, Jordan Bardella, mungoi në këtë ngjarje.
"Sa herë duhet të votojmë për mocionet e pashpresa të mosbesimit derisa ekstremistët të jenë të kënaqur ose të pranojnë vullnetin demokratik?", pyeti Billy Kelleher, duke përfaqësuar grupin Renew Europe në debat. (A2 Televizion)