Trump shpall “D-Day ekonomik” ndaj Iranit: Nisim operacionin më shkatërruese të ndërmarrë ndonjëherë

Nga Rosalba Bejdo
20 Gusht 2026, 11:22 | Bota

Presidenti amerikan Donald Trump shpall ndaj Iranit, atë që e quan “D-day ekonomik”. Ai paralajmëroi të godasë Republikën Islamike, me operacionin më shkatërrues të ndërmarrë ndonjëherë kundër një vendi, duke i shkaktuar një izolim të paprecedentë. Këërcënimet vijnë teksa presidenti ka ndryshuar strategji në qasjen ndaj Iranit duke i mëshuar kartës së presionit ekonomik.

“Askush nuk i ka dhënë Republikës Islamike të Iranit një mundësi më të madhe për të arritur një marrëveshje sesa unë. Fatkeqësisht për ta, ata kanë dështuar ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Prandaj, sot po njoftoj operacionin ekonomik më shkatërrues të ndërmarrë ndonjëherë kundër një vendi! Do të jetë luftë ekonomike dhe izolim në një shkallë të paprecedentë.”

Trump, paralajmëroi gjithashtu për pasoja ekonomike ndaj çdo vendi që i ofronte çfarëdo lloj ndihme jetike Iranit.

“Çdo vend që lejon institucionet e tij financiare, bizneset, aeroportet apo strukturat qeveritare t’i ofrojnë Iranit çfarëdo lloj mbështetjeje, do të përballet vetë me pasoja të jashtëzakonshme ekonomike".

Ministri i jashtëm Iranian Abbas Araqchi i cilësoi komentet e Trump si një përpjekje për të devijuar vëmendjen e opinionit publik amerikan nga problemet e brendshme financiare.

"I ashtuquajturi ‘D-Day ekonomik’ është një diversion për të larguar vëmendjen nga vetë kriza e Amerikës: Borxhi i paprecedentë dhe rritja e vrullshme e kostove të interesit".

Emiratet e Bashkuara Arabe, që strehojnë një bazë të madhe ushtarake amerikane, kanë pezulluar deri në njoftim të mëtejshëm tregtinë, shkëmbimet komerciale dhe transaksionet financiare me Iranin. Vendimi erdhi pasi Emiratet thanë se kishin zbuluar dy raketa të lëshuara nga Irani, të cilat ranë në det, pretendim që Teherani e mohoi si të pabazë.

Ndërkohë, Irani thotë se mbetet i hapur për dialog me SHBA-në, por thekson se negociatat nuk nënkuptojnë dorëzim dhe se presioni ushtarak e sanksionet nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos