Trump: Të gjithë po më “lëpihen” për një ujdi tregtare

Nga Rosalba Bejdo
9 Prill 2025, 14:20 | Bota

Tarifat reciproke të Presidentit amerikan Donald Trump për dhjetëra vende hynë në fuqi të mërkurën, përfshirë taksat masive prej 104% ndaj mallrave kineze, duke thelluar luftën tregtare e duke shkaktuar tronditje të mëtejshme në tregjet financiare.

Kina akuzoi Shtëpinë e Bardhë për praktika bullizuese, ndërsa theksoi se e drejta legjitime e popullit kinez për t’u zhvilluar nuk duhet të privohet nga tarifat mbi importet. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme pohoi se nëse Trump këmbëngul të shkaktojë një luftë tregtare, Pekini do të luftojë deri në fund, shkruan A2.

Tarifat e dyfishuara ndaj Kinës, që fillimisht ishin caktuar në 54%, u implementuan pasi Pekini refuzoi të përmbushte ultimatumin e Trump, për të hequr taksat reciproke prej 34% të vendosura ndaj SHBA. Lin Jian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, u shpreh: “Pala amerikane vazhdon të ushtrojë presion ekstrem ndaj Kinës duke vendosur tarifa pa dallim. Kina kundërshton me vendosmëri dhe nuk do ta pranojë kurrë këtë sjellje arrogante dhe bullizuese. Nëse SHBA do të zgjidhë problemin përmes dialogut dhe negociatave, duhet të tregojë respekt, barazi dhe reciprocitet”. 

Autoritetet kineze thanë se Banka Qendrore nuk do të lejojë rënien e juanit dhe u ka kërkuar të gjitha bankave të mëdha shtetërore të reduktojnë blerjet e dollarit. Tregjet e aksioneve shënuan sërish rënie të mërkurën pas një jave të vështirë si pasojë e alarmit që ka përfshirë investitorët.

Bursat europiane u tkurrën më tej e po ashtu ato amerikane e aziatike. Teksa udhëheqësit botëror po nxitojnë të përcaktojnë kundërmasat ndaj SHBA, Trump tha se shumë prej tyre po i lëpihen e janë gati të bëjnë çdo gjë për një marrëveshje tregare me të. 

Ai nuk i ka kursyer talljet në drejtim të tyre: “Po ju them se këto vende po na telefonojnë, po na lëpihen. Ata po vdesin të bëjnë një ujdi me ne. Ju lutem zotëri, pranoni një marrëveshje, do të bëj gjithçka zotëri”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos