Trump thotë se do ta dërgojë Witkoffin në Moskë për t’u takuar me Putinin

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2025, 08:03 | Bota

Trump thotë se do ta dërgojë Witkoffin në Moskë

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se po dërgonte emisarin e tij të posaçëm, Steve Witkoff, në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me një marrëveshje të paqes me Ukrainën, të cilën Kievi thotë se është i gatshëm “ta shtyjë përpara”, teksa disa pika “të ndjeshme” janë ende duke u shqyrtuar.

Pas një dite me diplomaci të vrullshme, që përfshiu takime mes delegacioneve në disa vende në Lindjen e Mesme dhe në Evropë, u duk se po rritej momentumi drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit më të madh dhe më të përgjakshëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Plani fillestar i Paqes me 28 pika, që është hartuar nga SHBA-ja, është përsosur me kontributin shtesë nga të dyja palët dhe kanë mbetur vetëm disa pika të mospajtimeve”, shkroi Trump në rrjetet sociale më 25 nëntor.

“Me shpresën për finalizimin e këtij plani të paqes, e kam udhëzuar të dërguarin tim të posaçëm, Steve Witkoff, që të takohet me presidentin Putin në Moskë, dhe në të njëjtën kohë, sekretari i Ushtrisë, Dan Driscoll, do të takohet me ukrainasit”, shtoi ai.

Sipas një zëdhënësi të Ushtrisë amerikane, Driscoll u takua më 25 nëntor në Abu Dabi me një delegacion rus, në një përpjekje për të reduktuar dallimet për propozimin e paqes që administrata Trump e ka hartuar pas bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Gjenevë.

Ukrainasit kanë udhëtuar për në Abu Dabi për më shumë bisedime me Driscollin dhe zyrtarë të tjerë amerikanë, raportuan CBS News dhe Financial Times.

“Amerika është shumë aktive dhe Evropa është shumë aktive, sikurse edhe parterët e tjerë tanë. Të gjithë e kanë agjendën e njëjtë, dhe vetëm Moska dëshiron që lufta kundër Ukrainës të mbetet prioriteti i saj i parë”, tha Zelensky gjatë një fjalimi drejtuar kombit të martën.

Propozimi fillestar amerikan prej 28 pikash nga shumë u pa se është më në favor të Moskës.

Gjatë fundjavës, ukrainasit u takuan në Gjenevë me përfaqësuesit amerikanë, përfshirë me sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, në përpjekje për të hartuar një draft që do të kërkonte më pak lëshime nga Ukraina dhe që nuk do të rezultonte në atë që disa në Kiev e konsideronin si kapitullim.

Gjatë bisedimeve në Gjenevë, drafti u reduktua në 19 pika, me zyrtarët ukrainas që vunë në pah se disa nga çështjet më të ndjeshme – përfshirë garancitë e sigurisë për Kievin – vazhdojnë të mbesin në tavolinë të bisedimeve.

Kremlini tha se Witkoff do të qëndrojë në Moskë javën e ardhshme.

“Sa i përket Witkoffit, mund të them se është arritur një marrëveshje paraprake që ai të vijë në Moskë javën e ardhshme”, tha këshilltari për politikë të jashtme i Putinit, Yuri Ushakov, për një gazetar të medias shtetërore ruse.

Ndërkaq, Trump në postimin e tij në rrjetet sociale tha se pret që të takohet me udhëheqësit e Ukrainës dhe Rusisë kur marrëveshja të jetë në fazën finale.

“Mezi pres ta takoj presidentin Zelensky dhe presidentin Putin së shpejti, por VETËM kur marrëveshja t’i ketë dhënë fund kësaj lufte dhe të jetë FINALE ose në fazat e saj të fundit”, shkroi Trump. REL  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos