Një ministre virtuale në kabinetin e Ramës, nuk po gëlltitet lehtë nga opozita shqiptare. Për Sali Berishën Presidenti shkeli Kushtetutën me dekretimin e “Diellës, që sipas tij nuk është thjesht një blof qesharak, por një precedent serioz ligjor, një shkelje e rëndë e frymës së Kushtetutës.
“Në një rast unik në historinë e botës, më saktë, në komedinë botërore, kukulla e Edi Ramës, Presidenti Begaj, me propozimin e kryetarit të PS, Edi Rama, me dekretin e djeshëm presidencial emëroi, përveç kryeministrit, edhe Ministrin Virtual të Inteligjencës Artificiale, apo Diella Ramën, nën përgjegjësinë e Kryeministrit për krijimin dhe funksionimin e saj. Kështu, duke shkelur Kushtetutën dhe në fyerje të inteligjencës, shtohet një dëm kushtetues që është deklarimi si në asnjë vend tjetër të botës se Diella është ministre”, shprehet Berisha.
Berisha shkon edhe më tej, ku thekson se kjo ministri virtuale sipas tij, është një mjet i Ramës për të vazhduar vjedhjen.
“Ky ministër virtual, jo-njerëzor, jo-personal, shfaqet në një dokument kushtetues të narkoshtetit, siç është dekreti presidencial që emëron kryeministrin, dhe kjo vetëm e vetëm që Ramaduro vetë të mos vjedhë më duke keqpërdorur Lubinën, Mirlindën etj., por tani t’i vjedhë të gjitha me Diella Ramën hajduten e padukshme të emëruar me dekret presidencial”, deklaroi ai.
Krijimi i një Ministrie të Inteligjencës Artificiale, unike në botë, e shihet si një veprim i guximshëm dhe i diskutueshëm edhe nga mediat botërore, që lë hapur një debat të madh mbi të ardhmen e teknologjisë dhe ligjin në vend. (A2 Televizion)