“Bjeshka më shëron zemrën”, historia e 85-vjeçarit që jeton 3 muaj në stane

Nga A2 CNN
13 Shtator 2025, 18:06 | Lifestyle

Në bjeshkët e Tropojës banorët nuk shkojnë vetëm për të mbledhur boronica por edhe për t’u “kuruar”. Ajri i pastër, uji i freskët dhe ushqimet bio pa pesticide, janë burimi i një shëndeti të mirë. Kryesisht gjatë verës disa të moshuar shoqërojnë familjarët e tyre në bjeshkë për të përfituar nga klima e mirë, kush për shkak të shëndetit, e kush për nevojën mendore të çlodhjes.

Muzli Buçpapaj është 85 vjeç. Për afro 35 vite ai viziton bjeshkët e Tropojës gjatë sezonit të verës. Në fshatin Trokuz ka ngritur një stan modest, në të cilin jeton bashkë me gruan e tij.  Në stanin e Muzliut ishte gazetari Armend Pire, duke ndarë edhe një bisedë me të moshuarin, për mënyrën sesi e kalon ditën në stan.

“Që pas rënies së komunizmit kam ardhur çdo vit në bjeshkë. Jam operuar nga zemra dhe klima këtu më ndihmon shumë për frymëmarrjen. Ajri është i pastër, uji i freskët, ushqimet i kemi bio. Kam edhe disa lopë që i mbaj për kullot në bjeshkë dhe me to merrem kryesisht gjatë ditës, ndërsa plaka mbledh boronica” – tha i moshuari për A2 CNN.

E veçanta e stanit të Muzliut është se ai qëndron hapur edhe gjatë stinëve të tjera. I moshuari e lë qëllimisht hapur për cilindo që kalon në bjeshkë dhe nuk ka ku të kalojë natën. Një gjest fisnik i 85-vjeçarit që e kanë vlerësuar shumë vizitorë.

“U lë djathë, u lë raki, turshi, se të tjerat prishen. Kushdo që të vijë u bëfshin mirë. U lë dhe dru për të ndezur zjarr në sobë. Kalojnë gjahtarë, ata që mbledhin lule, kush del për të prerë dru, e banorë të tjerë. Më kanë lënë shënime mirënjohje që e kanë gjetur stanin hapur dhe me bollëk. Nëse fshati do të kishte rrugë, do të vinin më shumë turistë pasi në Valbonë vijnë shumë, por nuk ngjiten prej rrugës” – tregon i moshuari.

Muzliu thotë se do të vijë në bjeshkë çdo vit nëse shëndeti do t’ia lejojë. Jetesa në stane për të është bërë rutinë e pandashme teksa një ftesë ka për këdo që vizitojnë fshatin Trokuz, se dera e stanit të tij është vërtetë e hapur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos