Në një ndeshje të paharrueshme në Torino, Juventus arriti një fitore dramatike 4-3 kundër Interit, falë një goli të jashtëzakonshëm nga talenti i ri Vasilije Adzic në minutën e 90+1’. Kjo përballje ishte e mbushur me emocione, gola të bukur dhe përmbysje të njëpasnjëshme.
Juventus e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte, kur në minutën e 14’ Lloyd Kelly shënoi golin e parë pas një krosimi të shkëlqyer, duke kaluar bardhezinjtë në avantazh. Megjithatë, Inter reagoi shpejt dhe në minutën e 31’, Hakan Calhanoglu barazoi rezultatin me një goditje precize. Vetëm tetë minuta më vonë, Kenan Yildiz riktheu epërsinë për Juventusin me një perlë nga distanca.
Pjesa e dytë nisi me një ritëm të lartë. Inter barazoi sërish në minutën e 66’ me Calhanoglun që realizoi dopietën personale. Marcus Thuram përmbysi rezultatin në minutën e 76’ pas një goditje me kokë nga një këndore, duke e çuar Interin në avantazh 3-2.
Por Juventusi nuk u dorëzua. Në minutën e 83’, Khephren Thuram barazoi me një goditje të fuqishme me kokë pas një topi të ardhur nga një goditje e lirë. Kulmi i dramës erdhi në minutën e parë të kohës shtesë, kur Vasilije Adzic realizoi një super gol nga distanca në trekëndësh, duke i dhënë fitoren Juventusit.
Ky ishte një spektakël i vërtetë futbolli, me shumë emocione dhe një atmosferë elektrizuese në stadium. Me këtë fitore, Juventusi tregon karakter dhe thellësi në skuadër, ndërsa Inter do të ketë shumë për të reflektuar pas kësaj humbjeje të dhimbshme. (A2 Televizion)