
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka bërë thirrje homologut Volodymyr Zelensky të mbajë zgjedhje në Ukrainë, duke akuzuar qeverinë e Kievit se po përdor luftën me Rusinë për ta shmangur këtë.
Sipas mediave të huaja, mandati i Zelenskyt si President fillimisht ishte planifikuar të përfundonte në maj 2024, por Ukraina ka thënë se nuk mund të mbajë zgjedhje të reja ndërsa vendi është nën gjendje të jashtëzakonshme.
Qeveria thotë se ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë nga sulmet ajrore do ta bënin të pamundur organizimin dhe numërimin e votave, si dhe do të kishte rreziqe të dukshme nëse një numër i madh njerëzish duhet të mblidhen në qendrat e votimit.
Gjithashtu thuhet se, pas zhvendosjes masive të brendshme dhe largimit të shumë njerëzve nga vendi, nuk ka asnjë sistem në vend për votimin në mungesë dhe asnjë përditësim të kohëve të fundit në regjistrin kombëtar të votuesve, shkruan A2 CNN.
Pavarësisht kësaj, Zelenskyy është përballur me thirrje për të mbajtur zgjedhje si nga Moska ashtu edhe nga Uashingtoni. (A2 Televizion)