Një mur gjigant pluhuri mbuloi zonën metropolitane të Feniksit (Phoenix) mbrëmjen e së hënës, duke e ulur në thuajse zero shikueshmërinë. Sikur të mos mjaftonte kjo, një stuhi shiu dhe ere goditi qytetin, duke rrëzuar pemë, shkaktuar dëme në ndërtesa dhe ndërprerje masive të energjisë elektrike, shkruan A2 CNN.
Në Aeroportin Ndërkombëtar Phoenix Sky Harbor, era arriti deri në 113 km/h duke detyruar autoritetet të vendosnin ndalim të përkohshëm të fluturimeve për rreth një orë. Pas stuhisë, aeroporti raportoi vonesa deri në 30 minuta, ndërsa ekipet kontrollonin dëmet dhe rrjedhjet e mundshme nga çatitë.
Shërbimi Kombëtar i Motit në Feniks lëshoi paralajmërime për stuhi pluhuri dhe stuhi të forta elektrike, duke u kërkuar drejtuesve të automjeteve të ndalonin dhe të prisnin pasi të ishin plotësisht të sigurt për të rifilluar lëvizjen. Departamenti i Transportit i Arizonës raportoi shikueshmëri të reduktuar në autostradat I-10 dhe I-17 si dhe përmbytje në disa rrugë, duke apeluar për kujdes maksimal gjatë qarkullimit.
Sipas PoëerOutage.us, më shumë se 60 mijë konsumatorë mbetën pa energji elektrike, kryesisht në qarkun Maricopa. Në qytetin Gilbert, 35 kilometra në juglindje të Feniksit, policia raportoi semaforë jashtë funksionit dhe pemë të rrëzuara, duke këshilluar qytetarët të shmangnin udhëtimet e panevojshme.
Stuhitë e pluhurit janë tipike për këtë periudhë të vitit në Arizona, por kjo goditje ishte veçanërisht e fortë, pasi tonelata pluhuri krijuan një mur gjigant që shtrihej për kilometra të tërë dhe ngrihej në mijëra metra lartësi.
Parashikimet tregojnë se Feniksi do të përballet me temperatura shumë të larta dhe mundësi të tjera stuhish deri të mërkurën, para se moti të qetësohet në pjesën e dytë të javës. (A2 Televizion)