Turqia, mes konfliktit SHBA-Iran, çfarë do të bëjë Erdogan?

Nga A2 CNN
25 Shkurt 2026, 12:21 | Bota

Turqia, mes konfliktit SHBA-Iran, çfarë do të bëjë

Turqia po vlerëson të gjitha opsionet e mundshme që mund të ndërmerren në rast të një konflikti mes fqinjit të saj, Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, tha të mërkurën për Reuters një burim diplomatik turk.

Irani dhe SHBA-të rifilluan negociatat më herët këtë muaj, ndërsa Uashingtoni po rrit kapacitetet ushtarake në Lindjen e Mesme. Irani ka kërcënuar se do të godasë bazat amerikane në rajon nëse sulmohet, por diplomati kryesor i Teheranit tha të martën se një marrëveshje me SHBA-të ishte “brenda mundësive” nëse diplomacia do të kishte përparësi.

Turqia ndan kufirin lindor me Iranin dhe një ndërhyrje ushtarake ndaj Iranit, sipas shtetit turk, mund të sjellë destabilizim në rajon.

Ankaraja ka bërë thirrje që çështjet të zgjidhen përmes diplomacisë. Turqia duke qenë anëtare e NATO-s, aleate e SHBA-ve, por njëkohësisht duke qenë vend mysliman dhe fqinj i Iranit, zgjidhja që do të ishte më në interes për ta do të ishte diplomacia.

“Natyrisht, po vlerësohen të gjitha aspektet e masave që mund të merren në rast të një zhvillimi negativ,” tha burimi i Reuters, duke folur në kushte anonimiteti, transmeton A2.

“Po shqyrtohen të gjithë skenarët dhe po punohet për hapat që mund të ndërmerren për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë,” shtoi ai, duke theksuar se çdo veprim që do të “shkelte sovranitetin e Iranit” është “jashtë diskutimit”.

Burimi nuk dha detaje mbi masat konkrete që po analizohen nga Turqia. Më herët, zyra e presidencës turke për luftën kundër dezinformimit, mohoi raportimet mediatike se Turqia po planifikonte të hynte në territorin iranian për të ndaluar një fluks të mundshëm refugjatësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos