Një trafikant droge shqiptar, i cili u kap me 8 kilogramë heroinë dhe u fotografua i rrethuar nga 250 mijë paund cash, është lejuar të qëndrojë në Mbretërinë e Bashkuar, duke shkaktuar reagime të forta ndaj sistemit të drejtësisë dhe imigracionit britanik.
Olsi Beheluli, 33 vjeç, emigroi në Britani kur ishte vetëm 9 vjeç. Në vitin 2015 ai u dënua me 11 vite burg për rolin e tij si pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikimin e heroinës. Arrestimi i tij ndodhi vetëm tetë muaj pasi kishte fituar nënshtetësinë britanike në mënyrë të dyshimtë, duke fshehur të kaluarën e tij kriminale në formularin për natyralizim, raporton “The Telegraph”, përcjell A2 CNN.
Ai u ndalua në Londrën veriperëndimore duke transportuar 8 kilogramë heroinë të pastër me vlerë rreth 200 000 paund, ndërsa ishte rrugës për në një magazinë, ku u gjetën edhe dokumente identifikimi false dhe peshore droge. NCA gjeti në telefonin e tij një foto ku Beheluli shfaqej i rrethuar nga 250 000 paund në cash, provë e jetës së tij luksoze të ndërtuar mbi trafikimin e drogës.
Megjithëse Home Office dhe Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) kërkuan deportimin e tij, një gjykatë e nivelit të ulët vendosi në favor të Behelulit, duke theksuar mungesën e provave konkrete si survejim apo dëshmi të drejtpërdrejta që ai kishte qenë pjesë e krimit përpara marrjes së nënshtetësisë.
Por Home Office apeloi vendimin, duke përdorur një argument të ashtuquajtur “arsye e shëndoshë”, se është e pabesueshme që dikush i panjohur në botën e drogës do të besohej me një sasi kaq të madhe heroine dhe me para të konsiderueshme. Gjykata e lartë e pranoi këtë argument dhe urdhëroi një rishqyrtim të çështjes.
Ky rast është bërë simbol i një sërë rastesh të ngjashme që po i krijojnë presion qeverisë britanike për të forcuar rregullat e deportimit. Ministrat po propozojnë rritjen e pragut për të ndaluar përdorimin e nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (ECHR), i cili mbron të drejtën për një jetë familjare, dhe nenit 3, që ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor.
Rasti i Behelulit nxjerr në pah një sfidë të madhe për autoritetet britanike, balancimi mes të drejtave të njeriut dhe ruajtjes së sigurisë publike. Pavarësisht se autoritetet këmbëngulin se ai ka mashtruar për të marrë nënshtetësinë dhe ka qenë pjesë e një strukture të mirëorganizuar kriminale, për momentin ai ende gëzon të drejtën për të qëndruar në Britani. (A2 Televizion)