U qëllua me plumb në kokë, ndërron jetë ish-polici në Itali

Nga A2 CNN
12 Qershor 2025, 07:31 | Bota

U qëllua me plumb në kokë, ndërron jetë ish-polici

Ka ndërruar jetë në spital, pas disa ditësh në terapi intensive ish-efektivi Fatos Cenaj, i cili u qëllua me armë zjarri.

Ish-efektivi u qëllua mëngjesin e së dielës, në rrugën Casoni Basse në Fontaniva, ndërsa po shkonte në punë me biçikletë.

Fillimisht u hodh hipoteza e një të shtënë të pavullnetshme, ndoshta nga ndonjë banor që po testonte një armë të re. Por hetimet e fundit kanë hedhur poshtë këtë pistë, duke shtyrë hetuesit të besojnë se bëhet fjalë për një pritë të mirëorganizuar.

Sipas burimeve pranë hetimit, Cenaj po udhëtonte me biçikletë drejt një ferme ku punonte, rreth dy kilometra larg shtëpisë së tij. Dyshohet se një makinë iu afrua nga pas dhe nga dritarja, një autor i armatosur e qëlloi nga afër. Plaga në zonën e veshit është shumë e vogël dhe thuajse e padukshme, çka sugjeron përdorimin e një arme sportive me precizion të lartë, një mjet tipik për atentate të sofistikuara.

Zona ku ndodhi ngjarja, një vend i qetë në mes të fshatit, përbënte një skenë ideale për të sulmuar dhe për t’u larguar pa u vënë re. Deri më tani nuk janë identifikuar dëshmitarë, ndërsa policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë në rrugët përreth. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos