
Një gjykatë në Rusi ka dënuar me gjashtë vjet burg liderin e opozitës Sergei Udaltsov, një kritik i njohur i presidentit Vladimir Putin dhe drejtues i lëvizjes “Fronti i Majtë”, e cila është e lidhur me Partinë Komuniste. Vendimi u mor të enjten, më 25 dhjetor 2025, me akuzën e “justifikimit të terrorizmit”.
Sipas medias së pavarur ruse Mediazona, akuzat lidhen me një artikull të publikuar online nga Udaltsov, ku ai shprehte mbështetje për një grup aktivistësh rusë të akuzuar për krijimin e një organizate terroriste. Këta aktivistë u dënuan më herët këtë muaj me dënime që variojnë nga 16 deri në 22 vjet burg.
Udaltsov i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si të fabrikuara politikisht. Pas shpalljes së vendimit, ai e quajti atë “të turpshëm” dhe njoftoi se do të hynte në grevë urie. Sipas gjykatës, dënimi do të vuhet në një koloni penale të sigurisë së lartë.
Sergei Udaltsov ishte një figurë kyçe e protestave masive të viteve 2011-2012 kundër manipulimit të zgjedhjeve parlamentare në Rusi. Ai ka qenë disa herë i burgosur më parë, përfshirë një dënim në vitin 2014 për organizimin e protestave kundër Putinit.
Autoritetet ruse kanë intensifikuar goditjen ndaj opozitës, mediave të pavarura dhe shoqërisë civile pas nisjes së luftës në Ukrainë, duke burgosur qindra persona dhe detyruar mijëra të tjerë të largohen nga vendi. (A2 Televizion)