Vendimi i Joe Biden për të autorizuar Ukrainën të sulmojë Rusinë me raketa me rreze të gjatë veprimi vjen shumë vonë dhe nuk pritet të ketë ndonjë ndikim në ndryshimin e rrjedhës së luftës. Analistët ushtarak perëndimorë thonë për Reuters, se ndikimi në fushën e betejës do të varet shumë nga aftësia e Ukrainës për të mbajtur territoret e sajë.
"Vendimi vjen me vonesë dhe si vendimet e tjera në këtë drejtim, mund të jetë tepër vonë për të ndryshuar rrënjësisht rrjedhën e luftimeve," tha Michael Kofman, analist Institutin Carnegie për Paqe në Uashington. "Sulmet me rreze të gjatë ishin gjithmonë një pjesë e enigmës dhe ishin ngarkuar tepër me pritshmëritë në këtë luftë". Gjithashtu analistët besojnë se ajo që do të bëjë diferencën është administrata e re amerikane. Ky vendim është kritikuar tashmë nga Richard Grenell, një nga këshilltarët më të afërt të politikës së jashtme të Presidentit të rikthyer Donald Trump, i cili zëvendëson Biden më 20 janar. Trump ka kritikuar prej kohësh shkallën e ndihmës së SHBA për Kievin dhe është zotuar se do t'i japë fund luftës shpejt, pa thënë si. Një zëdhënës i Trump nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, transmeton A2.
Ukraina ka lobuar për lëshimin e raketave me rreze të gjatë veprimi për muaj të tërë, duke argumentuar se paaftësia e saj për të goditur zonat brenda Rusisë, dhe në veçanti bazat ajrore ushtarake që strehojnë avionë luftarakë të përfshirë në sulmet në Ukrainë, ishte një pengesë e madhe. Forcat ruse, të cilat kanë qenë në ofensivë për më shumë se një vit, kanë përparuar me ritmin e tyre më të shpejtë që nga viti 2022 në Ukrainën lindore dhe kanë ushtruar presion në verilindje dhe juglindje. Rusia thotë se Ukraina nuk mund të lëshojë raketa drejt objektivave brenda Rusisë pa ndihmën e drejtpërdrejtë nga aleatët e NATO-s, duke e quajtur këtë një përshkallëzim të madh. Të hënën, Kremlini tha se çdo vendim i tillë do të nënkuptonte se Shtetet e Bashkuara ishin të përfshira drejtpërdrejt në konflikt.
Sulmet e para ukrainase mund të ndodhin në ditët në vijim dhe ka të ngjarë të kryhen duke përdorur raketa ATACMS, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 306 km, raportoi Reuters.
Një zyrtar i mbrojtjes i Evropës Qendrore i tha Reuters se sulmet do t'i jepnin Kievit një shans më të madh për t'u mbrojtur nga sulmet ajrore, por nuk do ta ndryshonin me vendosmëri konfliktin në favor të Ukrainës. Ministri i Jashtëm lituan Gabrielius Landsbergis tha se ai "nuk po hapte ende shampanjë" pasi nuk dihej se sa raketa kishin ukrainasit dhe nëse ato kishin mjaftueshëm për të prekur fushën e betejës. (A2 Televizion)