Ukraina ka pranuar marrëveshjen e propozuar nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.
Sipas një zyrtari amerikan që citohet nga media të tilla si CNN dhe ABC, Kievi ka pranuar kushtet e paqes, edhe pse mbeten disa detaje të vogla që duhet të sistemohen, shkruan A2.
Zhvillimi vjen teksa zyrtari i ushtrisë amerikane, Sekretari Dan Driscoll u takua me zyrtarë rusë në Abu Dabi për të diskutuar mbi propozimin e Presidentit amerikan, Donald Trump. Edhe pse nuk ka shumë detaje, një zëdhënës i Discroll pohoi se bisedimet mes dy delegacioneve po shkojnë mirë dhe se ata mbeteshin optimist.
Po zyrtarisht, përmes ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, Moska e bën të qartë se nuk do të pranojë një anulim të planit fillestar të Donald Trump, që, siç pohon, u hartua në frymën e takimit mes Putin dhe Trump në Alaskë.
Lavrov pohon se plani origjinal me 28 pika respekton atë që është diskutuar në Alaskë dhe është i vetmi që Moska ka siguruar, përmes rrugëve jozyrtare: “Aspektet kryesore të planit të Trump bazohen në mirëkuptimet e arritura në Anchorage në samitin ruso-amerikan në gusht të këtij viti. Këto parime pasqyrohen kryesisht në plan, të cilin ne e mirëpritëm. Ne kemi kanale komunikimi me homologët tanë amerikanë dhe i përdorim ato. Presim të marrim versionin që ata e konsiderojnë të ndërmjetëm, pasi të përfundojë faza e koordinimit me evropianët dhe ukrainasit. Pastaj, do ta rishikojmë atë, sepse nëse fryma dhe mirëkuptimet kryesore të shënuara në Alaska hiqen, do të jetë një situatë thelbësisht e ndryshme. Por, tani për tani, e përsëris, nuk kemi marrë asgjë zyrtarisht”.
Drafti i parë që i propozoi Uashingtoni Kievit, u pa si nga ukrainasit ashtu edhe Europa si një listë dëshirash të Moskës. Por, pas ditësh diplomacie intensive dhe takime në Gjenevë mes përfaqësuesve urkainas dhe amerikanë, po flitet për një plan të ri me 19 pika ku janë hequr elementët më të dhimbshëm për Kievin, si vetoja mbi anëtarësimin në NATO apo vendosja e një tavani për ushtrinë ukrainase.
Siç raportohet, sipas planit të rishikuar, nuk do të ketë amnisti të plotë për krimet e luftës dhe territoret nuk dorëzohen falas. Autoritetet ukrainase kanë thënë se një takim mes Trump dhe Zelenskyt mund të zhvillohet brenda këtij muaji.
“Ekipi ynë pret me padurim të organizojë vizitën e Zelenskyt në datën më të përshtatshme brenda nëntorit për të përfunduar hapat finale për të lidhur ujdinë me Presidentin amerikan Trump”, tha shefi i sigurisë kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov. (A2 Televizion)
