“Hyrja e Ukrainës në NATO do të ishte një deklaratë lufte kundër Moskës dhe vetëm “maturia” e Aleancës do të mund të parandalonte copëtimin e planetit”.
Është ish-Presidenti rus dhe një prej zërave më të ashpër të regjimit në Kremlin, Dmitry Medvedev, ai që përcjell paralajmërimin e fortë ndaj Perëndimit. Krerët e Aleancës së Atlantikut të Veriut u zotuan gjatë samitit të mbajtur javën e kaluar të mbështesnin Ukrainën në rrugën e pakthyeshme drejt integrimit në NATO, edhe pse e lanë të hapur kohën se kur kjo mund të ndodhte.
Medvedev, zv/President i Këshillit të Sigurisë në Rusi, tha se anëtarësimi i Ukrainës do të shkonte përtej kërcënimit direkt për sigurinë e Moskës: “Kjo në thelb do të ishte një deklaratë lufte, madje e vonuar. Veprimet që kundërshtarët e Rusisë kanë marrë kundër nesh gjatë viteve, duke e zgjeruar NATO-n, e çojnë Aleancën në një pikë pa kthim”.
Në një pohim standard të Kremlinit që kur nisi luftën kundër Ukrainës në 2022, Medvedev shtoi se Rusia nuk ishte kërcënim për NATO-n, por se do të përgjigjej ndaj përpjekjeve të Aleancës për të avancuar interesat e saj: “Sa më shumë përpjekje të ketë, aq më e ashpër do të jetë përgjigjja. Nëse kjo do të çojë në copëtimin e të gjithë planetit, do të varet thjesht nga maturia e NATO”.
Medvedev i cili gjatë presidencës së tij, nga viti 2008 deri në 2012, u vlerësua si një politikan i moderuar pro-perëndimit, e ka shndërruar veten në një mbrojtës të flaktë të ndërhyrjes ushtarake, duke paralajmëruar SHBA dhe aleatët se armatosja e Kievit do të çojë në apokalips bërthamor. (A2 Televizion)