Pse Meloni u betua me një kostum Armani?

Nga A2 CNN
7 Shtator 2025, 10:39 | Bota

Pse Meloni u betua me një kostum Armani?

Giorgio Armani i tregoi botës se Italia mund të jetë e madhe pa sakrifikuar identitetin e saj, ndërkohë që Armani ishte traditë, elegancë, rafinim, maturi dhe ikonë, shkruan kryeministrja italiane, Giorgia Meloni në një artikull për ”Corriere della Sera” duke i bërë homazh kujtimit të stilistit të madh.

“Esenca e ‘Made in Italy’ është një kombinim talenti, vëmendjeje ndaj detajeve dhe kujdesit për punonjësit tanë. Këto karakteristika i bëjnë kompanitë tona të vlerësuara dhe të dashura në të gjithë botën dhe te Armani ato kanë gjetur një sintezë madhështore. Ai ndihmoi në ngritjen e shkëlqimit italian në stilin e veshjeve në një nivel ndërkombëtar, duke trajnuar breza profesionistësh”, shton ajo.

”Krijimet e tij kanë shoqëruar disa nga momentet më domethënëse të jetës sime”, thekson Meloni.

”Midis tyre, ceremonia e betimit në Quirinale si kryeministre, në të cilën mora pjesë duke veshur një nga kostumet e tij të bukura blu marinë”, thotë ajo, shkruan ANSA.

”Dhe ishte një zgjedhje që do ta bëja përsëri, sepse ai kostum Armani përcillte shumë mesazhe: mbrojtjen e “Made in Italy”, inovacionin, cilësinë, krenarinë për identitetin e vet”, thekson ajo.

”Pa harruar autoritetin. Një Itali që mund të udhëheqë botën. Kombi ynë nuk do ta harrojë gjenialitetin e tij dhe punën e jashtëzakonshme që bëri për ta bërë atë një simbol të padiskutueshëm dashurie dhe pasioni për bukurinë”, përfundon ajo. Kosovapress (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos