Sulmet ruse në të gjithë Ukrainën kanë vrarë shtatë persona dhe kanë plagosur 34 të tjerë gjatë ditës së kaluar, njoftuan autoritetet rajonale.
Sipas mediave të huaja, në Kiev, i cili u vu nën një nga sulmet më të rënda në kryeqytetin e luftës deri më tani, katër persona u plagosën dhe zjarre shpërthyen në disa lagje, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko.
Një sulm me dron në Odesa vrau dy burra dhe plagosi tetë të tjerë, katër prej të cilëve u shtruan në spital, tha guvernatori Oleh Kiper. Në qytetin jugor u dëmtuan gjithashtu objekte mjekësore, përfshirë një maternitet.
Në Dniepër, sulmet ruse vranë një person dhe plagosën një tjetër dje. Po ashtu, u plagosën dy burra të tjerë gjatë natës, tha guvernatori Serhii Lysak.
Tre persona u vranë në Donetsk dhe tetë të tjerë u plagosën, ndërsa një person u plagos në Kharkiv, thanë zyrtarët, shkruan A2 CNN.
Gjithashtu sipas zyrtarëve, një person u vra dhe tetë u plagosën në rajonin e Khersonit, ndërsa një grua e moshuar u plagos në Zaporizhzhia. (A2 Televizion)