Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit dhe pretendon se ushtria e tij mori kontrollin. Kështu bën me dije Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike.
“Irani, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme të arritura në negociata dhe duke vepruar me mirëbesim, ra dakord të lejojë një numër të kufizuar anijesh cisternë nafte dhe anijesh tregtare të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit në një mënyrë të kontrolluar. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, në përputhje me shkeljet e përsëritura të angazhimeve në të kaluarën, vazhdojnë aktet e piraterisë dhe vjedhjes detare nën atë që e quajnë bllokadë. Për këtë arsye, kontrolli i Ngushticës së Hormuzit është rikthyer në gjendjen e mëparshme dhe se kjo ngushticë strategjike është nën menaxhim dhe kontroll të rreptë të forcave të armatosura”, tha Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës Garda Revolucionare
Zëdhënësi tha gjithashtu se Irani kushtëzon rihapjen e plotë të Hormuzit me heqjen e bllokadës amerikane. Të premten, Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi postoi në X se Ngushtica ishte e hapur për kalimin e anijeve. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka këmbëngulur se bllokada detare e porteve iraniane do të mbetet në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje e plotë me Teheranin.
CNN raporton se një raund i dytë bisedimesh për paqe midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të zhvillohet të hënën në kryeqytetin pakistanez, Islamabad. Edhe pse Uashingtoni nuk i ka konfirmuar këto raportime, Trump tha se Teherani ka rënë dakord të heqë dorë nga uraniumi i pasuruar dhe shprehu besim se një marrëveshje mund të arrihet. Por kjo deklaratë u hodh shumë shpejt poshtë.
“Lidhur me çështjet që janë ngritur, si në mediat e tyre ashtu edhe nga disa zyrtarë amerikanë, asnjëra prej tyre nuk mund të konfirmohet. Për shembull, uraniumi i pasuruar i Iranit nuk do të transferohet në asnjë rrethanë askund. Ashtu siç toka e Iranit është e rëndësishme dhe e shenjtë për ne, edhe kjo çështje është e rëndësishme për ne. Kjo çështje nuk është ngritur kurrë. Ne nuk e kemi paraqitur kurrë si një opsion që uraniumi i pasuruar i Iranit të transferohet në Shtetet e Bashkuara. Ekzistojnë mundësi të ndryshme për zgjidhjen e çështjeve që janë pjesë e programit tonë bërthamor, por siç thashë, transferimi i materialit të pasuruar të Iranit në Shtetet e Bashkuara nuk ka qenë kurrë një opsion për ne”, u shpreh Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës Garda Revolucionare.
Presidenti Donald Trump thotë se mund të mos e zgjasë armëpushimin me Iranin nëse negociatat dështojnë. (A2 Televizion)