Qindra protestues janë ngritur në universitetet amerikane si reagim për vendimin e ri të Benjamin Netanyahut për të nisur mësymjen e re ndaj Rripit të Gazës. Policia arrestoi dhjetëra studentë të Universitetit të Kolumbias të cilët pushtuan një pjesë të bibliotekës kryesore të shkollës në një nga demonstratat më të mëdha pro-palestineze në kampus.
Të paktën 40 deri në 50 studentë, me duart e prangosura me lidhëse plastike, u panë duke u ngarkuar në furgonë dhe autobusë të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut jashtë Bibliotekës Butler, ndërsa oficerët e NYPD-së kontrolluan ndërtesën gjashtëkatëshe për të arrestuar protestuesit e tjerë që refuzuan të largoheshin, shkruan A2 CNN. Policia mbërriti në kampus me kërkesë të zyrtarëve të Universitetit të Kolumbias, të cilët thanë se studentët demonstrues që pushtuan sallën kryesore të leximit në katin e dytë të bibliotekës ishin të përfshirë në shkelje të pronës.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e kishte sulmuar ashpër Universitetin e Kolumbias për protestat pro-palestineze në kampus vitin e kaluar, duke thënë se ato ishin antisemite dhe tregonin një dështim për të mbrojtur studentët hebrenj.
Studentët protestues, përfshirë disa organizatorë hebrenj, kundërshtojnë duke thënë se Trump dhe politikanë të tjerë konservatorë që janë fuqimisht pro-Izraelit po i ngatërrojnë padrejtësisht protestat pro-palestineze me antisemitizmin.
Bordi i administratorëve të Universitetit të Kolumbias ka qenë në negociata me administratën Trump, e cila njoftoi në mars se kishte anuluar qindra miliona dollarë grante për universitetin për kërkime shkencore. Universiteti ka thënë se ka punuar për të luftuar antisemitizmin dhe paragjykimet e tjera në kampusin e tij, ndërsa kërkon të shmangë akuzat nga grupet e të drejtave civile se po i nënshtrohet ndërhyrjeve të qeverisë në lirinë akademike.
Sakaq, në terren, Izraeli kreu 14 sulme në zonën Nabatieh në Libanin jugor, një nga bombardimet më intensive të Izraelit që nga një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA në nëntor.
Në prill, Izraeli goditi një ndërtesë jugore të Bejrutit që tha se po përdorej për të ruajtur raketa precize që i përkisnin grupit Hezbollah të mbështetur nga Irani. Libani dhe Hezbollahu kishin rënë dakord për një armëpushim në nëntor, i cili ndaloi luftimet dhe mandatoi që Libani jugor të ishte i lirë nga luftëtarët dhe armët e Hezbollahut. (A2 Televizion)