Më shumë se 1.9 milionë njerëz në të gjithë Japoninë janë urdhëruar të zhvendosen në vende më të sigurta, pasi valët e cunamit godasin pjesë të ndryshme të bregdetit dhe transporti është ndërprerë në të gjithë vendin. Mediat ndërkombëtare njoftojnë se valët mbeten shumë më të vogla se sa ishte parashikuar më parë.
Agjencia e Menaxhimit të Zjarrfikësve dhe Fatkeqësive ka lëshuar urdhra evakuimi lokal që prekin 1,905,596 persona në 21 prefektura, ku numri më i madh i të evakuuarve vjen nga prefekturat Hokkaido, Kanagawa dhe Wakayama.
Valët e para goditën ishullin më verior të Japonisë, Hokkaido, ku një video e shpërndarë nga Reuters dhe Nippon News Network tregoi njerëz që strehoheshin në një çati. Sirenat e cunamit mund të dëgjoheshin duke u përhapur në disa pjesë të ishullit të mërkurën në mëngjes.
Valë cunami me përmasa rreth 30 deri në 60 centimetra po regjistrohen përgjatë bregdetit lindor, duke iu afruar gjithnjë e më shumë Zonës Metropolitane të Tokios, sipas të dhënave nga Agjencia Meteorologjike e Japonisë. Kjo është shumë më poshtë parashikimit fillestar prej deri në tre metrash, megjithëse kjo mund të ndryshojë dhe mund të vijnë valë të tjera.
Transporti po ndërpritet gjithashtu, me aeroportin ndërkombëtar të Sendai-t, në bregdetin e Paqësorit, në veri të Tokios, që mbylli pistën e tij. Tragetet që udhëtojnë nga Hokkaido, Aomori dhe Gjiri i Tokios janë pezulluar gjithashtu.
Aktualisht nuk ka probleme në centralin bërthamor të Fukushimës, i cili ndodhet pak poshtë Sendait, ku tërmeti dhe cunami shkatërrues i vitit 2011 shkaktuan një aksident të rëndë bërthamor.
Kompania shtetërore e Energjisë Elektrike të Tokios (TEPCO), e cila mbikëqyr centralin, tha të mërkurën se kishte evakuuar të gjithë personelin në vende më të larta, pa raportuar asnjë të lënduar dhe asnjë anomali në central. (A2 Televizion)